Ndërlidhjet

DRAGOVIÇ-SOSHO: KOSOVA NUK I PËRKET MË SERBISË


Jasna DRAGOVIÇ SOSHO, analiste e Institutit për Evropën Lindore, Londër

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të dukej situata nëse supozojmë që blloku i forcave demokratike në Serbi e formon qeverinë për të zgjidhur statusin e Kosovës?
Viti 2005 parashihet të jetë viti i kthesës, kur duhet të fillojnë bisedimet për statusin e Kosovës. Po atë vit, përfundon marrëveshja 3-vjeçare për funksionimin e unionit të lirshëm Serbi-Mali i Zi.

JASNA DRAGOVIÇ-SOSHO
Sigurisht që fitorja e radikalëve është shumë negative. Mendoj se pjesa dërrmuese e serbëve në Kosovë votuan për Partinë Radikale. Është iluzion të pritet që radikalët, apo cilido tjetër në Serbi, të bëjnë më shumë për serbët e Kosovës. Përkundër gjithë rezolutave, Kosova është protektorat ndërkombëtar. Çfarë do të ndodhë me Kosovën dhe serbët në Kosovë, do të varet nga vendimi i fuqive të Perëndimit për Kosovën. Faktorët e huaj ndikojnë më shumë, se sa ai serb.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë prisni të bëjnë fuqitë e Perëndimit? Cila do të jetë strategjia e tyre? A mund të pritet kjo çështje të zgjidhet në prizmën gjeostrategjike?
Nisur nga gjendja në Kosovë, ekziston rreziku që në rast të pavarësimit të saj, Bosnja të tronditet nga Republika e Serbëve?

JASNA DRAGOVIÇ-SOSHO
Mendoj se kjo shumë do të varet nga problemet e tjera, të cilat i kanë fuqitë perëndimore, siç janë çështja e Irakut, Lindjes së Mesme dhe luftës kundër terrorizmit. Mendoj se Kosova dhe Evropa Juglindore për momentin nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe për politikën e vendeve të Perëndimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Por kjo do ta shtyjë edhe vetë zgjidhjen e statusit?

JASNA DRAGOVIÇ-SOSHO
Po, mendoj se kjo zgjidhje do të shtyhet. Retorika e radikalëve se asnjëherë nuk do ta japin Kosovën, është nebulozë, e cila serbëve që jetojnë atje u jep një shpresë të gabuar dhe jokonstruktive. Në vend të kësaj, Serbia dhe serbët e Kosovës duhet ta pranojnë faktin se Serbia në Kosovë më nuk ka kurrfarë ndikimi.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se shumica e serbëve e kanë kuptuar se Kosova, në një farë mënyre është e humbur për Serbinë.

JASNA DRAGOVIÇ-SOSHO
Mendoj se kjo duhet t'u thuhet shumë më qartë dhe me më shumë sinqeritet serbëve në Serbi. Mendoj se duhet parë fakti se Kosova më nuk i përket Serbisë, pavarësisht çfarë shkruan në rezolutat. Serbia duhet në mënyrë më reale dhe më konstruktive t'u qaset çështjeve, që kanë të bëjnë me fatin e serbëve që jetojnë atje dhe dëshirojnë të mbesin. Shtrohet pyetja, në ç'mënyrë atyre njerëzve duhet t'u sigurohet një ardhmëri më e mirë. Mendoj se ky është problemi kryesor i politikës serbe dhe qeverisë së re, e jo pyetja nëse Kosova do to takojë Serbisë apo jo. Kjo çështje duhet të shihet realisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni çështjen e Kosovës në të ardhmen?
A mendoni se zgjidhja do të jetë pavarësia klasike.

JASNA DRAGOVIÇ-SOSHO
Kjo nuk varet vetëm nga Kosova, por nga rrjedhat që do të ndodhin në rajon, nga politika perëndimore dhe angazhimet e saj me këtë çështje. Mendoj se do të kërkohet zgjidhja, por në të ardhmen e afërt Kosova edhe më tej do të jetë protektorat ndërkombëtar. Shumë gjëra do të varen nga sjellja e faktorëve politikë shqiptarë, të cilat tani duhet t'i dëshmojnë bashkësisë ndërkombëtare se mund ta udhëheqin një shtet të pavarur, duke respektuar të drejtat e pakicave, gjë që tani nuk po e bëjnë. Megjithatë, është mjaft e sigurtë se kthim prapa nuk do të ketë, ndërsa çështja e Kosovës do të zgjidhet në kuadrin, i cili nuk do ta marrë parasysh mundësinë e kthimit të Kosovës në ndonjë bashkësi shtetërore me Serbinë.



XS
SM
MD
LG