Ndërlidhjet

RUGOVA THOTË SE PRIORITETET JANË: STANDARDET, INTEGRIMI I MINORITETEVE DHE PËRFAQËSIMI I KOSOVËS NË BOTË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përderisa viti 2003 ishte një vit i suksesshëm për institucionet e Kosovës, prioritetet për sivjet do të jenë standardet, integrimi i pakicave dhe përfaqësimi i Kosovës në botë përmes zyrave të jashtme, ka thënë në fjalimin vjetor para Kuvendit, presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Katër vitet e para të pasluftës, presidenti Rugova i ka vlerësuar vite të përparimit dhe forcimit të sigurisë e lirisë së Kosovës dhe ngritjes së institucioneve nacionale të Kosovës, të cilat sipas tij kanë funksionuar me sukses. Presidenti Rugova e ka vlerësuar periudhën katërvjeçare si të suksesshme edhe në planin ekonomik:
"Element me rëndësi është edhe buxheti i Kosovës që mblidhet nga të ardhurat vetjake që dëshmon se Kosova është në gjendje të funksionojë si shtet," tha zoti Rugova, sipas të cilit euro ka ndikuar për stabilitetin monetar dhe ekonomik, por ka bërë thirrje që buxheti i Kosovës të realizohet me kohë dhe të mos lihet defiçit buxhetor.
Ai tha se në planin e sigurisë është bërë përparim i konsiderueshëm:
"Gjatë kësaj kohe është forcuar siguria publike. Policia e Kosovës sot ka një kontigjent të konsiderueshëm që duhet specializuar për detyra të ndryshme. TMK kanë arritur fazën e organizimit dhe do të kenë përkrahjen tonë për konsolidimin dhe profesionalizimin e tyre që të jenë forcë e aftësuar për detyrat e veta dhe forcë mbrojtëse në të ardhmen".
Sa u përket planeve për të ardhmen, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se viti në të cilin kemi hyrë do të jetë vit i përparimit, pasi është krijuar një bazë e fortë për zhvillim. Ndër prioritetet në planin politik, zoti Rugova veçoi integrimin e pakicave:
"Në planin e brendshëm do të vazhdojmë të punojmë për integrimin e grupeve etnike apo të minoriteteve në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës dhe për garantimin dhe mbrojtjen e tyre. Njëherësh dëshirojmë një vullnet më të madh të minoriteteve për integrim në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës".
Në anën tjetër, presidenti Rugova tha se do të bëhen përpjekje që të bëhet bartja e sa më shumë kompetencave tek institucionet vendore, në mënyrë që ato të jenë sa më efikase:
"Një kujdes të veçantë do të kemi për mundësinë e përfaqësimit të Kosovës përmes hapjes së zyrave në botën e jashtme, apo përmes formave të tjera", tha presidenti Rugova, duke e përmendur hap të mirë në këtë plan emërimin e senatorit Bob Dole ambasador nderi të Ksoovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një pjesë të fjalimit të tij, presidenti Rugova ia ka kushtuar përmbushjes së standardeve dhe vlerësimit të tyre:
"Ne mendojmë se këto standarde janë në të mirë të zhvillimit dhe prosperitetit të vendit tonë dhe jo punë e nisur prej fillimit, pasi të gjithë kemi pranuar se Kosova ka pasur progres të cilin duhet fuqizuar," tha presidenti Rugova duke ripërsëritur kërkesën e tij për pavarësinë e Kosovës si faktor stabiliteti në rajon dhe në Evropë dhe u angazhuar për marrëdhënie të mira me fqinjët.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se fjalimi i presidentit para Kuvendit do të jetë tradicional, prandaj kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci pas fjalimit nuk ka lejuar deputetët të debatojnë lidhur me fjalimin e presidentit.




XS
SM
MD
LG