Ndërlidhjet

PDK, AAK DHE KOALICIONI KTHIMI REAGOJNË NDAJ FJALIMIT TË PRESIDENTIT RUGOVA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Menjëherë pas fjalimit të presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova para Kuvendit, kanë pasuar reagimet e disa partive parlamentare. Deputetët e Partisë Demokratike, ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputetët e koalicionit “Kthimi”, përveç vërejtjeve në fjalimin e tij, kanë akuzuar presidentin Rugova dhe kryetarin e Kuvendit Nexhat Daci për shkelje procedurale e kushtetuese. Këto tre grupe parlamentare në reagimet e ndara, kanë akuzuar presidentin Rugova, se nuk është duke funksionuar si kryetar i Kosovës, por vetëm si kryetar i Lidhjes Demokratike.
Deputeti i PDK-së Hydajet Hyseni, tha se Daci dhe Rugova kanë bërë shkelje për shkak se Korniza Kushtetuese parasheh raportim të presidentit dhe jo fjalim para Kuvendit, siç u veprua në seancën e sotme. Që ky të jetë raportim dhe jo fjalim, ishte vendosur dhe në Kryesinë e Kuvendit, tha Hyseni:
“Nuk mund të manipulohet e as të luhet me Kuvendin dhe nuk mund t’i imponohen raporte Kuvendit që janë jokushtetuese dhe parlamentare. Nuk mundet për shembull që kryetari i Kosovës të thotë kam vendosur unë të bëj kështu etj. Kryetari i Kosovës është i zgjedhur nga Kuvendi dhe ai për vendimet e tij duhet të marrë pëlqimin e Kuvendit”, tha Hyseni.
Ndërsa në një kumtesë me shkrim të PDK-së, thuhet po ashtu se kjo parti, vlerëson se raporti i kryetari të Kosovës, siç e parasheh si obligim Korniza Kushtetuese, nuk është përmbushur.
Me këto vërejtje, është paraqitur dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti Bujar Dugolli, tha se AAK nuk është e kënaqur me punën e as me paraqitjen e kryetarit Rugova. Kurse kur u shtohet edhe fakti i shkeljeve kushtetuese, tha Dugolli, atëherë sipas tij, shihet se kryetari i tashëm i Kosovës ka dështuar në funksionin e tij:
“Kryetari ka dështuar në punën e vet dhe grupi ynë parlamentar është i pakënaqur me punën e kryetarit të Kosovës dhe me këtë raportim apo fjalim siç është paraqitur në Kuvend. Edhe kryetari i Kuvendit bëri shkelje të rregullave të Kuvendit dhe nuk u dha mundësi grupeve parlamentare që t’i japin këto qëndrime në senacën plenare dhe për këtë arsye ne u detyruam që t’i japim ato para mediave”, tha Dugolli.
Si me fjalimin ashtu edhe me procedurat, nuk është pajtuar as koalicioni “Kthimi”. Duke shprehur pakënaqësinë me fjalimin e Rugovës, deputeti Oliver Ivanoviç, tha se ai nuk ka folur asnjë fjalë të vetme për problemet të cilat e ngarkojnë jetën e minoriteteve. Njëkohësisht, tha ai, Rugova ka bërë shkelje kushtetuese dhe se tani koalicioni do t’i kërkojë shefit të UNMIK-ut ndërhyrjen dhe shkarkimin e kryetarit të tanishëm të Kosovës:
“Shkelja flagrante e Kornizës Kushtetuese nga ana e zotit Rugova do të duhej që të sanksionohej, në atë mënyrë që zoti Holkeri ta thërresë atë në bisedë apo edhe ta heqë nga posti”, tha Ivanoviç.






XS
SM
MD
LG