Ndërlidhjet

SI FINANCOHEN PARTITË POLITIKE NË KOSOVË?


Albana Isufi, Prishtinë

Partitë politike në Kosovë thonë se urdhëresa administrative e UNMIK-ut për kontrollimin e financave të partive politike nuk paraqet ndonjë problem për to. Tre partitë më të mëdha thonë se deri tani kanë qenë mjaft transparente. Por, sipas zyrtarëve të OSBE-së përveç raporteve financiare që është dashur të dorëzohen gjatë fushatave zgjedhore, partitë politike nuk kanë dorëzuar raporte vjetore financiare. Sipas zëdhënsit të OSBE-së Sven Lindholm kjo edhe ka qenë arsyeja e miratimit të kësaj urdhërese administrative.
“Tani kjo nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjet, por është raport njëvjecar i financimit. Kjo urdhëresë vjen nga rregullorja për rregjistrimin e partive politike dhe me këtë urdhëresë administrative po mbushet një vakuum, sepse më parë partitë politike nuk ishin të detyruara të tregonin raportet e tyre financiare. Por tani ato duhet t’i tregojnë këto raporte.”
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lulzim Zeneli, thotë se kjo urdhëresë nuk sjell risi për këtë parti. Ai thotë se LDK ka dorëzuar deri tani raporte financiare, duke aluduar kryesisht në ato raporte që kishin të bënin me zgjedhjet.
““Për LDK-në asgjë nuk paraqet risi në këtë lëmi për faktin se ne gjithmonë kemi qenë transparentë me të gjithë mekanizmat si vendore ashtu edhe ndërkombëtare.
Ne kemi qenë transparentë përmes mekanizmave që kanë qenë kompetentë për të monitoruar subjekte politike," thotë Zeneli.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hajredin Kuçi, mendon se kjo urdhëresë administrative vetëm sa u ndihmon partive politike.
“Mendoj se kjo nuk e cënon PDK, përkundrazi ndihmon që në Kosovë të ketë transparencë financiare për të gjitha subjektet politike dhe jam i bindur se transparenca financiare do të ndihmojë edhe në transparencën politike në nivel të Kosovës. Unë mendoj se çdo e hyrë që bëhet në Kosovë si në institucione ose subjekte politike, duhet të jetë transparente," thekson nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi.
Përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thonë se janë të gatshëm që OSBE-së menjëherë t’ia dërgojnë raportet e tyre financiare për dy vitet e fundit. Por, përgjegjësi për financa i kësaj partie Jahja Lluka, thotë se kjo parti ka disa vërejtje në urdhëresën administrative për shkak të gjobave që mund t’iu vihen partive politike.
“Por në rregullore ka mangësi, sepse më tepër flitet për gjobat sesa për ndonjë rregullore që do të përcaktonte veprimtarinë e partive politike. Me siguri se parlamenti i Kosovës do të duhej sillte një ligj më të qartë për veprimin e organizimin e partive politike, jo vetëm në vend, por edhe në diasporë”.
Subjektet politike që janë të regjistruara në Zyrën për regjistrimin e partive politike në OSBE, duhet që brenda 45 ditëvë t’i dërgojnë raportet e tyre financiare për dy vitet e fundit. Përndyshe ato do të gjobiten me shuma të hollash, të cilat ndryshojnë varësisht nga numri i deputetëve të partive politike në Kuvend.
Por, kjo nuk vlen edhe për partitë serbe që kanë deputetë në Kuvendin e Kosovës, pasi nuk janë fare të regjistruara në këtë Zyrë. Deri tani në UNMIK është regjistruar vetëm një parti serbe: “Partia Objektive e Kosovës.”




XS
SM
MD
LG