Ndërlidhjet

DUPUIS: QASJA E NDËRKOMBËTARËVE NUK I NDIHMON KOSOVËS


Olivier Dupuis, Deputet i PE-së dhe drejtues i Partisë Radikale Transnacionale

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë steriotipet e politikës evropiane lidhur me shqiptarët?

OLIVIER DUPUIS
Ka shumë, por mendoj se më e rëndësishmja është se evropianët mendojnë apo i lënë shqiptarët të mendojnë për të gjetur zgjidhje lidhur me çështjen e emigracionit. Por jo vetëm për këtë. Këtu kam parasysh edhe zhvillimin e Shqipërisë. Politika evropiane e ka lënë Shqipërinë vetëm, ata besojnë apo në fakt lënë përshtypjen, se çështja e Shqipërisë mund të menaxhohet ndryshe, krahasuar me mënyrën se si ne trajtuam Poloninë, Hungarinë, Çekinë, apo së fundi edhe Rumaninë e Bullgarinë. Ne i dhamë, qytetarëve të këtyre vendeve, të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e BE-së. Për qytetarët e Shqipërisë dhe një numri të kufizuar vendesh të tjera, si Maqedonia e Serbia, duhen viza për çdo lëvizje jashtë vendit. Dhe pa dyshim kjo është një mundësi e shkëlqyer për mafian dhe forcimin e mafjes në Shqipëri. Padyshim kjo është në kundërshtim me interesat e Shqipërisë, por dhe të Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të na thoni nëse ka një politikë të qartë evropiane për Shqipërinë dhe nëse po a mund ta shpjegoni atë?

OLIVIER DUPUIS
Ajo çfarë është e qartë në politikat evropiane është ajo e mënjanimit të Shqipërisë dhe problemeve që lidhen me të. Kjo duket në të gjitha iniciativat. Mënjanimi i problemeve të mëdha që mund të vijnë nga Shqipëria, si ai i disa viteve më parë, ku shqiptarët mbërritën me anije në brigjet italiane, është preokupimi kryesor i politikës evropiane. Por ata realisht nuk duan ta zgjidhin problemin e Shqipërisë. Evropianët nuk dëshirojnë ta përfshijnë Shqipërinë në proceset që mund të çojnë në integrimin e plotë të saj në Bashkimin Evropian. Ajo që nevojitet për Shqipërinë është një proces i qartë, me data fillimi e mbarimi, që do të marrë ndoshta në 10 vjet. Shqipëria ka nevojë për një proces të tillë, ndërsa në fakt Bashkimi Evropian refuzon në mënyrë të vazhdueshme këtë proces për Shqipërinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas tragjedisë së 9 janarit ku humbën jetën 21 shqiptarë ju keni kritikuar politikën evropiane si shkak të tragjedisë. Cilat kanë qenë reagimet ndaj deklaratave tuaja dhe a keni ende të njëjtin mendim?

OLIVIER DUPUIS
Natyrisht unë kam të njëjtin qëndrim. Ka pasur reagime të drejtpërdrejta rreth deklaratave të mia, siç ishte ai i mikes sime, drejtueses së komisionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Doris Pack. Ajo ishte shumë e inatosur ndaj deklaratës sime dhe mendon se qëndrimi i Bashkimit Evropian duhet të jetë i tillë, që në mënyrë të vazhdueshme vetëm të kërkojë nga qeveria shqiptare përmirësime në luftën kundër kriminalitetit dhe çështjeve të ngjashme. Mendoj se qeveria duhet të bëjë më shumë, por qeveria nuk mund të ndryshojë gjendjen, pasi biznesi i emigracionit të paligjshëm, trafiku i drogës e i cigareve, si dhe i qënieve njerëzore janë biznese të mëdha, në luftën kundër të cilave duhet diçka më shumë se policët që paguhen 100 euro në muaj.
Prandaj mendoj se mënyra më e mirë është prerja e rrugëve për mafjen. Dhe nëse legjitimohet emigracioni mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian atëherë ju këputni rrënjët e mafias. Ndaj nuk do ta ndryshoj qëndrimin dhe do të vazhdoj të luftoj në këtë drejtim, pasi mendoj se është zgjidhja e vetme.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni familjar me çështjen e Kosovës dhe keni qenë i përfshirë në të për shumë vite. A mund të na shpjegoni politikën evropiane rreth Kosovës?

OLIVIER DUPUIS
Nuk mendoj se politika evropiane ndaj Kosovës është shumë e ndryshme nga politika ndaj Shqipërisë, për fat të keq.
Sa i përket Kosovës, preokupimi kryesor i drejtuesve të Bashkimit Evropian është të mënjanojnë zgjidhjen e problemeve themelore atje. Dhe natyrisht ndër këto probleme bazë për Kosovën janë çështjet e emigracionit dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Por në të njëjtën kohë që t'i jepet zgjidhje këtyre problemeve kusht është statusi përfundimtar i Kosovës. Dhe ndonëse kanë kaluar 5 vjet nga përfundimi i luftës, ne ende nuk kemi vendosur për statusin përfundimtar dhe nuk dihet se kur do të ndodhë një gjë e tillë.
Natyrisht në këto kushte si kosovarët, ashtu dhe biznemenët nga vendet fqinje apo nga Bashkimi Evropian nuk investojnë në Kosovë.
Me këtë qasje që kemi ne nuk po i ndihmojmë Kosovës që të zhvillohet ekonomikisht dhe në fakt ne po ndihmojmë njerëzit që veprojnë në mënyrë të paligjshme, ne ndihmojmë mafian. Dhe në fakt kemi edhe një herë të njëjtin skenar si në Shqipëri apo dhe në Serbi apo vende të tjera në rajon.
Fillimisht ne duhet të kemi një qëndrim të qartë institucional për statusin e ardhshëm të Kosovës. Personalisht do të parapëlqeja një lidhje me Shqipërinë, natyrisht me kushte tepër strikte e të ashpra për respektimin e të drejtave të pakicës serbe. Vetëm në këtë bazë ne mund të përmirësojmë gjendjen ekonomike të Kosovës dhe njëherësh kjo do çojë Kosovën drejt Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Partia juaj dhe ju personalisht keni qenë të përfshirë në arrestimin e të akuzuarve për krime lufte nga Gjykata e Hagës. Si e shihni punën e Gjykatës dhe si i vlerësoni kritikat se Gjykata po përpiqet të vërë barazpeshë etnike për arsye politike?

OLIVIER DUPUIS
Përgjithësisht Gjykata e Hagës ka punuar mirë. Në disa raste është e vërtetë se kemi një lloj barazpeshe në mesin e aktorëve të ndryshëm në Ballkan.
Aktualisht po bëhet edhe një biznes i çuditshëm, veçanërisht me Kroacinë, duke përdorur Gjykatën si mjet për të ngadalësuar procesin e integrimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian. Dhe padyshim kjo nuk është diçka pozitive.
Mendoj se Gjykata e Hagës duhet të ketë gjithmonë parasysh se në konfliktet në Ballkan, një vend, apo udhëheqësit e një vendi konkretisht të Serbisë dhe Malit të Zi ishin agresorë dhe ky është një faktor shumë i rëndësishëm politik që nuk mund të harrohet. Kjo nuk është arsye që të mos dënohen njerëz për krime lufte nga Kosova, Bosnja apo Kroacia. Por Gjykata duhet të ketë mirë parasysh se ka pasur agresorë dhe të sulmuar.

Intervistoi Iliriana A. Bajo
XS
SM
MD
LG