Ndërlidhjet

ZGJEDHJET E SIVJETME NË KOSOVË- SIPAS RREGULLORES SË UNMIK-UT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zgjedhjet e sivjetme parlamentare në Kosovë, do të përcaktohen dhe organizohen sipas një rregulloreje që do ta nënshkruajë shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara. Kështu ka thënë sot shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Paskal Fieski. Ai e mohoi mundësinë e miratimit të ndonjë ligji për zgjedhjet, siç mëtojnë disa forca parlamentare në Kosovë. Këto qëndrime, ambasadori Fieski, ia ka paraqitur sot në një takim të mbyllur dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci.
“Kjo është një fushë e përgjegjësive të rezervuara, por ne kemi punuar për një vit e gjysëm me partitë politike kosovare dhe shoqërinë civile, për të studiuar këtë çështje dhe për t’i propozuar në fund zotit Holkeri sistemin elektoral”, tha ambasadori Fieski.
Në vazhdim, ai e ka mohuar dhe mundësinë e përcaktimit të sistemit të zgjedhjeve nga ana e kosovarëve.
“Nuk mendoj se Kuvendi i Kosovës do ta ndryshojë sistemin e zgjedhjeve, të cilat do të mbahen këtë vjeshtë, pasi sistemi i zgjedhjeve do të përcaktohet përmes një rregulloreje që shefi i UNMIK-ut do ta nënshkruajë nga mesi i shkurtit”, tha ambasadori Fieski.
OSBE-ja dhe misioni i Kombeve të Bashkuara, vazhdimisht e kanë mbështetur sistemin proporcional, pasi përmes tij, sigurohet një përfaqësim më i madh i pakicave në Kuvend. Për sivjet, tha Fieski, sistemi i zgjedhjeve do të pësojë disa ndryshime, por vendimi përfundimtar, tha ai, do të merret nga zoti Holkeri.
Po ashtu, Fieski tha se vendorët nuk kanë kompetenca për ta ndryshuar as përbërjen e tanishme të vendeve në Kuvend, ku sipas sistemit të kaluar dhe Kornizës Kushtetuese, 100 deputetë zgjidhen përmes votave të elektoratit, kurse njëzet vende rezervohen për pakicat, 10 për pakicën serbe dhe po aq për pakicat e tjera. Sa i përket organizimit të zgjedhjeve, Fieski tha se vendorët në këto zgjedhje do t’i menaxhojnë të gjitha operacionet, përfshirë dhe organizimet nëpër vendvotimeve. Kurse, OSBE-ja, tha ai, do të mbetet përgjegjëse për shumë çështje që kanë të bëjnë me vetë procesin e zgjedhjeve.



XS
SM
MD
LG