Ndërlidhjet

PROCESI I PRIVATIZIMIT DO TË ZHBLLOKOHET SË SHPEJTI, THONË ZYRTARË VENDORË TË AKM-SË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarë vendorë të bordit të AKM-së kanë premtuar se së shpejti do të zgjidhet nyja që ka bllokuar prej katër muajsh procesin e privatizimit në Kosovë.
Ahmet Shala, anëtar i këtij bordi tha se pavarësisht nga përpjekjet, nuk do të gjejnë shprehjen tendencat e menaxhmentit aktual të AKM-së për ndryshimin e politikave operacionale, që sipas tij do ta dëmtonin procesin e privatizimit dhe do ta korruptonin procesin që nisi mbarë:
"Po të mos ishte një ndërprerje administrative nga disa qarqe, besoj se në raundet e tjera do të kishim edhe më shumë ofertues, por ajo që ngrihet shkrihet dhe besoj se do ta shkrijmë shumë shpejt, sepse faktet janë në anën tonë."
Formula aktuale, sipas zotit Shala, mbështetet në transparencë dhe në shpejtësi të shitjes së ndërmarrjeve, duke mos ndërlikuar procesin dhe duke mos lejuar korruptimin e tij dhe përfshirjen e kontrollit mbi të.
"Shpejtesia është faktori kryesor për të cilin ne kemi menduar, duke pasur parasysh se privatizimi nuk është fundi i procesit të ristrukturimit, por vetëm fillimi i zhvillimit të sektorit privat, prandaj kemi paraparë që vetëm me një raund të shitet ndërmarrja," tha zoti Shala. Mirëpo, sipas tij, menaxhmenti aktual i bordit të AKM-së po përpiqet që shitja të bëhet brenda disa raundesh të aukcioneve. Ai tha se kjo mënyrë e shitjes së ndërmarrjeve ofron mundësitë që çmimin e ndërmarrjes ta caktojnë vetë afaristët, sepse ata e dinë më së miri vlerën e punës.
Mirëpo, kështu nuk mendon eksperti i ekonomisë Musa Limani, i cili këtë parim e vlerëson të papranueshëm:
"Ky parim ka qenë i papranueshëm për ne, pasi parimi kush jep më shumë në bazën zero është i papranueshëm. Ne kemi potencuar se mbështetur në këtë parim nuk ka lidhje me çmimin e tregut. Çmimi i tregut në këtë rast do të ishte që të bëhet vlerësimi i kapitalit të ndërmarrjeve që janë në tender, ku do të përfshihen vlera e pajisjeve, vlera e objektit, si dhe vlera e rentës së tokës që do të shfrytëzohet për një shekull," tha zoti Limani sipas të cilit në Kosovë do të duhej aplikuar spin-off special në vend të spin-offit të rëndomtë.
Mirëpo, zoti Shala thotë se kjo formulë është e thjeshtë pasi, atë që e sheh edhe e blen, pasi nuk ka dokumente prapa sirtarëve dhe nuk duhet brengosur nëse ka borxhe nga e kaluara apo jo, tha zoti Shala, sipas të cilit menaxhmenti aktual i AKM-së po përpiqet ta ndryshojë këtë politikë:
"Ky është në fakt debati më i madh: a duhet të transferohen obligimet e ndërmarrjes në blerësin e ri. Qëndrimi ynë kategorik është që jo, sepse ajo do ta ngulfatë gjithë procesin. Ka qarqe që për qëllime të caktuara politike përpiqen që të fusin elementin e bartjes së sa më shumë borxheve në ndërmarrjen e re dhe kjo është një nga qëndrimet më të papranueshme për stafin vendor."
Edhe eksperti Musa Limani, drejtor i Institutit ekonomik të Kosovës i quan të papranueshme tendencat e tilla:
"Ajo është e papranueshme. Blerësi i ri nuk mund të marrë kurrfarë obligimi të ri, nëse kjo nuk parashihet në tender. Prandaj, obligimet, detyrat dhe të drejtat e blerësit të ri përcaktohen në tender dhe çdo ndryshim i elementit të tenderit është i papranueshëm."
Kjo çështje ka të bëjë direkt me marrjen parasysh apo jo të ligjeve serbe për pronësinë dhe bartjen e saj, ndërkohë që zyra ligjore e UNMIK-ut aktualisht po merret pikërisht me vlerësimin nëse ligjet e aplikueshme serbe duhen marrë parasysh apo jo në këtë proces të privatizimit. Këto politika operacionale kanë bërë momentin e thyerjes së shtizave ndërmjet drejtoreshës së AKM-së Fucci dhe vendorëve në bordin e AKM-së, për ç’gjë qeveria ka kërkuar shkarkimin e saj.



XS
SM
MD
LG