Ndërlidhjet

10 PERSONAT QË NUK DO TË LEJOHEN TË HYJNË NË VENDET E BE-SË JANË KUNDËRSHTARË TË PAQES


Augustin Palokaj, Bruksel

Lista me emra të personave nga Maqedonia të cilëve do t'u pamundësohet udhëtimi në shtetet evropiane tashmë është e gatshme në Bruksel, por ajo nuk do të bëhet publike derisa zyrtarisht të mos miratohet nga Këshilli i BE-së. Mbledhja e parë e këtij Këshilli është e caktuar për muajin shkurt kur edhe pritet të bëhet e ditur emrat e personave që BE-ja i sheh si pengesë për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Megjithëse as sot nuk kanë dhënë emra burimet e Bashkimit Evropian thonë se në listë do të ndodhen rreth 10 persona, dhe shtojnë se ata vërtet janë njerëz të këqinj dhe negativë, duke shtuar se për ata që përcjellin situatën në Maqedoni, kur të dëgjojnë se për cilët emra bëhet fjalë, nuk do të ketë kurrfarë befasie. Me këtë BE-ja mendon se u ka bërë të qartë atyre që pengojnë zhvillimin demokratik të Maqedonisë, se nuk do të tolerohen, madje zyrtarët e BE-së thonë se shumë prej personave që janë në atë listë kanë lidhje të ngushta edhe me krimin e organizuar dhe rrjetat mafjoze atje. Gjithnjë duke insistuar që të mos përmendin emra për shkaqe legale, përderisa të mos kryhet e tërë procedura e adaptimit të kësaj të ashtuquajture Listë të Zezë, burimet e ndryshme në BE thonë se ky vendim nuk ka për qëllim të godasë asnjërin grup etnik në Maqedoni, por vetëm ata individë, veprimtaria e të cilëve është e dhunshme dhe që pengon përparimin e tërë shtetit që shkon në dëm të shqiptarëve dhe të maqedonasve atje. Duek arsyetuar vendimin për të penguar hyrjen në BE të personave që i sheh si pengesë të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, Bashkimi Evropian përkujton se në qershor të vitit 2001, kishte përpiluar një listë të veçantë me emrat e njerëzve që pengonin zgjidhjen paqësore në atë kohë në Maqedoni, por ajo listë asnjëherë nuk ishte aktivizuar sepse nuk kishte nevojë. Në BE mendojnë se ishte kërcënimi përmes kësaj liste ai që ndihmoi që disa aktivistë shqiptarë në atë kohë, përfshirë dhe liderë të sotëm politikë, të bëhen më konstruktive dhe të ndihmojnë edhe në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit.
Shumë gazetarë dhe analistë këtu në Bruksel janë habitur pse pikërisht tani dilet me një ide të tillë, kur zyrtarët e BE-së edhe ashtu thonë që nuk ka ndonjë rrezik eminent për Marrëveshjen e Ohrit dhe se ajo sipas tyre, përkundër disa ngecjeve është duke u realizuar. Tani jemi në fazën finale të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, dhe nuk dëshirojmë që dikush ta rrezikojë atë në kohën kur gjërat në Maqedoni ecin në drejtimine duhur, ka thënë zëdhënësja e përfaqësuesit të lartë të BE-së Havier Solanës, Kristina Gallah. Disa burime diplomatike në Bruksel po ashtu pohojnë se qëllimi i këtij vendimi mund të jetë që të parandalohet edhe retorika nacionaliste dhe incidentet në këtë vit zgjedhor në Maqedoni, por edhe të sigurohet stabiliteti i vendit në këtë kohë kur Maqedonia pritet të aplikojë edhe formalisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo do të jetë lista e tretë në fuqi me emrat e personave nga Ballkani, të cilëve do t'u ndalohet hyrja në territorin e shteteve të Bashkimit Evropian. Në një listë janë anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e të akuzuarit të Hagës Sllobodan Millosheviç, ndërsa në të dytën personat nga Bosnja e Hercegovina që ndihmojnë të arratisurit e Hagës Radovan Karaxhiçin, gjeneralin e serbëve të Bosnjes Radko Mlladiçin dhe atë kroat Ante Gotovina, të cilët ende nuk janë kapur dhe dorëzuar në Hagë. Në këtë kategori tani do të jenë edhe personat nga Maqedonia që pengojnë Marrëveshjen e Ohrit, sepse BE-ja beson në efektin e masave të tilla.



XS
SM
MD
LG