Ndërlidhjet

PAKTI I STABILITETIT DO NDIHMOJË KOSOVËN NË PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE


Albana Isufi Prishtinë

“Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore ka një qëllim të qartë për Kosovën, nuk lejohet që ajo të jetë një vrimë e zezë në hartën e Ballkanit.” Kështu ka thënë sot në Prishtinë koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore Erhard Busek, i cili ka bërë të ditur planet e këtij Pakti për Kosovën.
Busek ka thënë se Pakti i Stabilitetit do të ndihmojë Kosovën në përmbushjen e standardeve dhe kjo, sipas tij, do të bëhet duke arritur marrëveshje për tregti të lirë me vendet fqinje, mundësinë e nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi për tregti të energjisë elektrike në rajon si dhe përfshirjen e Kosovës në tryezën për luftimin e krimit të organizuar.
“Agjenda e Paktit të Stabilitetit për Kosovën është e qartë. Nuk lejohet që të shndërrohet në vrimë të zezë në hartën e Evropës Juglindore, sepse do të kishte ndikim edhe në vendet e rajonit dhe pavarësisht nga statusi i pazgjidhur ne duhet të bëjmë punën tonë në terren”, tha Busek duke shtuar se me ndihmën e UNMIK-ut dhe në disa raste edhe me ndihmën e institucioneve të Kosovës, ka mundësi që të shkohet përpara.
“Po i shtyj vendet e rajonit që të fillojnë negociata me UNMIK-un dhe institucionet e Kosovës për arritjen e Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë, që të pranohet UNMIK-u apo shtylla e parë e UNMIK-ut në tryezën për luftimin e krimit të organizuar në Bukuresht dhe ky është kontributi ynë për përmbushjen e standardeve," thotë ndër të tjera Busek.
Shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri thotë se Pakti i Stabilitetit mund të ndihmojë përmbushjen e standardeve.
“Implementimi i standardeve kërkon bashkëpunim rajonal nga i cili vetëm se do të përfitojë populli i Kosovës," thotë Holkeri duke shtuar se UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës janë akterë lokalë të Paktit të Stabilitetit.
Busek është takuar sot edhe me kryeministrin e Kosovës. Kryeministri Bajram Rexhepi tha se Pakti i Stabilitetit është shumë i angazhuar në rajon për krijimit e raporteve edhe më të mira në aspektin politik, të infrastrukturës, demokratizimit.
“Biseduam se si mund të vazhdojmë arritjet e nënshkrimit të marrëveshjeve për tregti të lirë edhe me vendet tjera në rajon, se si Kosova mund të marrë pjesë edhe në iniciativat e ndryshme sa i përket preventimit të krimit të organizuar, edhe pse kjo është pjesë e rezervuar, por si mund të involvohet në ato strategji, krijimin e mundësive për një treg më të gjerë ekonomik për relaksimin situatës politike dhe të raporteve në rajon,” tha Rexhepi.
Erhard Busek tha se që nga shtatori kur ka qenë për herë të fundit në Kosovë është arritur mjaft progres. Ai ka nënvizuar se kjo që po ndodh në Kosovë mund të quhet një storie e suksesshme që është arritur me përkrahjen e UNMIK-ut.

XS
SM
MD
LG