Ndërlidhjet

NJË APO DY SISTEME ARSIMORE NË KOSOVË?


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qendra Koordinuese Serbe për Kosovën ka kërkuar nga punëtorët serbë të arsimit në Kosovë që të mos nënshkruajnë kontratat e punës të ofruara nga Ministria e Arsimit e Kosovës, duke e quajtur këtë përpjekje perfide për rrezikimin e ekzistencës serbe në Kosovë. Ministria e Arsimit e Kosovës mendon se kontratat e ofruara të ministrisë janë obligim ligjor, pasi ligji duhet aplikuar në gjithë territorin e Kosovës, tha Rexhep Gjergji këshilltar i Ministrit të Arsimit Rexhep Osmani.
"Absolutisht kërkesat e Ministrisë së Arsimit që të nënshkruhen kontratat e punës të punëtorëve serbë të arsimit nuk e rrezikojnë në asnjë mënyrë qenien e tyre në Kosovë, përkundrazi janë përpjekje, do të thosha, mjaft të buta për integrimin e minoritetit serb në institucionet e Kosovës," tha zoti Gjergji, duke ftuar pjesëtarët e komunitetit serb që të bëjnë hapat për integrimin e tyre në shoqërinë kosovare, ndërsa ftesat e bëra nga Qendra Koordinuese Serbe, sipas tij dëshmojnë përcaktimin e tyre për të shikuar më shumë kah Beogradi sesa nga Prishtina.
Zëdhënësja e UNMIK-ut Izabella Karlovicz mendon se përderisa çështja e arsimit është shumë e ndjeshme, UNMIK-u po përpiqet të sigurojë njohjen e këtij sistemi të njësuar arsimor nga komuniteti serb dhe ky është një proces i vazhdueshëm i bisedimeve me Beogradin dhe me serbët e rajoneve veriore të Kosovës:
"Mendoj se situata aktuale e vështirë politike në Serbi mund të ketë krijuar hapësirë për keqinformim dhe nxjerrje të qëndrimeve politike," tha zëdhënësja Karlovicz, duke e parë këtë deklaratë të QKS si rezultat të kësaj situate.
Mirëpo, Oliver Ivanoviç, anëtar i kësaj qendre, mendon pikërisht të kundërtën:
"Situata e parregulluar në Beograd po shfrytëzohet nga disa qarqe ndërkombëtare dhe nga institucionet e përkohshme të Kosovës që në mënyrë të drejtpërdrejtë të rrezikojë interesat vitale serbe në Kosovë," tha Ivanoviç, duke e vlerësuar të rrezikshëm nënshkrimin e këtyre kontratave dhe duke paralajmëruar ndërmarrjen e masave kundër personave që nënshkruajnë kontratat e Ministrisë së Arsimit.
Edhe më i ashpër ishte drejtori i shkollës së mesme teknike në pjesën veriore të Mitrovicës, Momir Kasaloviç:
"Ne do të kërkojmë që kush e nënshkruan atë kontratë, të mos marrë rrogë nga shteti i Serbisë," tha Kasaloviç, ndërkohë që zyrtarë të Ministrisë serbe të Arsimit që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës, thanë se në komunat veriore nuk janë ofruar kontrata të tilla.
Sidoqoftë me këtë Qendra Koordinuese po forcon strukturat paralele në Kosovë, thonë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Zëdhënësja Karlovicz tha se nuk mund të ketë zgjidhje të shpejtë për këtë:
"Problemi i strukturave paralele është shumë i njohur dhe në raste të ndjeshme si arsimi dhe shëndetësia duhet të zgjidhet përmes integrimit gradual në sistem," tha zëdhënësja Karlovicz. Ajo tha se strukturat paralele mund të shpërbëhen, duke inkurajuar serbët se pjesëmarrja në institucionet e Kosovës është në interesin e tyre.
Mirëpo, zoti Rexhep Gjergji kërkon nga UNMIk-u të demonstrojë aksion të vendosur kundër strukturave paralele:
"Punëtorët serbë të arsimit ashtu si edhe punëtorët e tjerë të pakicës serbe financohen nga dy burime, nga qeveria e Serbisë dhe nga buxheti i Kosovës, sikur që kjo ndodh edhe të një pjesë e minoriteti goran në një pjesë të Kosovës, të cilët vazhdojnë të punojnë me planprograme të Serbisë dhe të financohen nga dy burime. Përfundimisht duhet të demonstrohet një vendosmëri e administratës së UNMIK-ut në Kosovë që të merren hapa vendimtarë në drejtim të shuarjes së institucioneve paralele dhe jeta në Kosovë të zhvillohet në bazë të ligjit dhe të Kornizës Kushtetuese."
Në anën tjetër, Oliver Ivanoviç mendon se këtu po bëhet shkelje, pasi Ministria e Arsimit më pas do të mund të kërkonte të emërojë drejtorët në shkollat me mësim në gjuhën serbe, që sipas zotit Ivanoviç është kompetencë e qeverisë së Serbisë sipas marrëveshjes Hakkerup-Çoviç.





XS
SM
MD
LG