Ndërlidhjet

GRIPI I PULAVE: A ËSHTË I RREZIKSHËM SA SARS-I?


Mark Baker

Përfaqësues të një numri vendesh aziatike po diskutojnë në Tajlandë mënyrat për parandalimin e shpërndarjes së gripit të pulave.
Virusi i gripit në fjalë ka prekur 10 vende aziatike dhe ka shkaktuar 10 viktima në njerëz. Kryeministri tajlandez Thaksin Shinuatra, i cili është dhe mikëpritësi i bisedimeve, deklaroi:
"Ne duhet të luftojmë përpara se të pësojmë rëndë, me shtim të numrit të vdekjeve. Veprimet e shpejta dhe të vendosura janë tepër të nevojshme dhe të tilla që synojnë të parandalojnë epideminë jo vetëm përmes masave të marra tek shpezët por dhe tek njerëzit", tha kryeministri tajlandez.
Infeksioni i njohur si gripi i pulave zakonisht është i kufizuar vetëm tek shpezët, por njëherësh prek dhe njerëzit që janë në kontakt me pulat e sëmura.
Deri tani nuk ka pasur raste të transmetimit të gripit nga një individ i sëmurë tek një i shëndetshëm.
Drejtori rajonal për Azinë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Shigeru Omi thotë:
"Ajo për çfarë ne jemi të shqetësuar është fakti se kur ky virus mund të fitojë fuqi që të transmetohet nga njerëzit. Në rast të tillë ai do ketë aftësi infektimi, madje shkakton dhe viktima më të shumta edhe se SARS-i", sqaron Omi.
Por ekspertët thonë se në këtë moment çdo krahasim me SARS-in, Sindromin Akut Respirator, janë të parakohshme.
Nga SARS vdiqën disa qindra njerëz në botë, derisa humbjet ekonomike për Kinën kapën shifrën prej disa mijëra miliona dollarë.
Ndonëse me pasoja tepër të rënda, dëmi ekonomik i shkaktuar nga gripi i pulave megjithatë është i kontrollueshëm.
Natyrisht ka dhe ngjashmëri. Kompanitë ajrore dhe hotelet në Azi i druhen pasojave të gripit të pulave.
Japan Airlines, kompania më e madhe ajrore në Azi thotë se efekti psikologjik i gripit në fjalë mund të ndikojë negativisht në numrin e udhëtarëve dhe të të ardhurave të kompanisë.
Ndërkaq Aleks Thierman nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve me qendër në Paris, sjell dhe një tjetër ngjashmëri mes gripit të pulave dhe SARS-it.
"Ky shpërthim i fundit i gripit të pulave në Azi është karakterizuar nga një evidentim i vonuar i virusit, të paktën nga ana e autoriteteve. Kështu që ne nuk e dimë prej sa kohësh është shfaqur gripi në fjalë. Derisa informacionet jo zyrtare mbi sëmundjen qarkullojnë që nga nëntori i kaluar", thotë Thierman.
E njëjta gjë ka ndodhur dhe në rastin e SARS-it.
Madje një revistë shkencore britanike ka cilësuar Kinën si vendin e origjinës së sëmundjes në fjalë.
Përpjekjet ndërkombëtare tani janë përqëndruar në izolimin e sëmundjes. Deri atëherë miliona pula do të asgjesohen derisa do të izolohen dhe njerëzit e infektuar. Kjo ka për qëllim të mënjanojë përzierjen e viruseve të ndryshme, pasi në rast të tillë do të ishte shumë e rrezikshme.

XS
SM
MD
LG