Ndërlidhjet

KFOR: DEKLARATA E STOJANOVIÇIT –PROPAGANDË


Albana Isufi, Prishtinë

Deklaratat se në Kosovë po veprojnë agjentë të Agjencive të Zbulimit të Serbisë, sipas përfaqësuesve të KFOR-it, janë të pabaza. Shefi i Agjencisë së Sigurimit Ushtarak të Serbisë Momir Stojanoviç, ka thënë sërish se shërbimi që ai drejton tash e një vit është i pranishëm edhe në Kosovë.
Por, shefi për informim i KFOR-it Horst Piper, thotë se nuk ka të dhëna për ekzistimin e këtyre agjentëve në Kosovë.
“Ajo është diçka si propagandë. Ne vërtet nuk kemi ndonjë të dhënë brenda në KFOR.”
Piper ka përsëritur se në Kosovë nuk ka kërcënime nga jashtë dhe ka hedhur poshtë deklaratat se në Kosovë ekziston Al Kaida.
“Gjithashtu deklaratat sa i përket Al Kaidës po vijnë nga i njëjti burim dhe sërish mund të them se ne nuk kemi kurrfarë të dhënash.”
Ndërkaq, kryetari i Komisionit Parlamentar për Gadishmëri Emergjente Agim Krasniqi, thotë se Agjencitë e Zbulimit të Serbisë mund edhe të veprojne në Kosovë, por komisioni që ai drejton nuk ka qasje në këto informacione.
“Nuk kemi mekanizma të tillë që na furnizojnë me informacione, që kanë të bëjnë me rrjetin e spiunazhit ose me rrjetin e ndonjë agjencie të huaj që vepron në Kosovë, megjithatë mendoj se diçka e tillë mund të ekzistojë edhe nga Serbia. Por diçka që ne të ndërmarrim nuk mundemi pasi nuk kemi informacione dhe nuk mund të bëjmë diçka më tepër në atë drejtim”, tha Agim Krasniqi.
Nga ana tjetër këshilltari politik i kryeparlamentarit Ramush Tahiri, thotë se deklarata të tilla mund të kenë për qëllim që të destabilizojnë situatën. Por ai thotë se një rrezik i tillë nuk ekziston në Kosovë.
“Nuk konsideroj se ka ndonjë ndikim në Kosovë, për arsye se Kosova edhe ashtu është e hapur, edhe ashtu punojnë shërbime të ndryshme, por tani karakteri i shërbimeve ka ndryshuar, sepse qëllimi për destabilizim apo qëllimi për ndonjë veprim do të ishte politik, dhe në këtë bazë Kosova ka Rezolutën 1244 dhe ka garanci të themi nga Këshilli i Sigurimit, që nuk mund të destabilizohet apo shërbehet për qëllime politike”, tha këshilltari politik i kryetarit të Kuvendit Ramush Tahiri.
Shefi për informim i KFOR-it Horst Piper, thotë se në takimet e rregullta që i mbajnë me forcat ushtarake të Serbisë do të ngrihet edhe kjo çështje. Ai thotë se këto deklarata nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet me ushtarakët serbë.
“Ne kemi marrëdhënie pune me forcat serbe dhe kjo ndoshta do të jetë një çështje që do ta ngremë në këto takime. Por, ne nuk jemi të dashuruar në njeri-tjetrin," thotë Piper.
Piper thotë se misioni i NATO-së në Kosovë është njëri ndër më të suksesshmit dhe këto deklarata kanë për qëllim që të shkaktojnë konfuzion në publik.
Shefi i Agjencisë së Sigurimit Ushtarak të Serbisë, Momir Stojanoviç, thotë se ka forcuar prezencën operative në Kosovë me dërgimin e një numri të agjentëve të Shërbimit që ai drejton. Kjo është hera e dytë brenda një muaji që Stojanoviç konfirmon infiltrimin e agjentëve serbë në Kosovë.


XS
SM
MD
LG