Ndërlidhjet

NATO: PRANIA EVENTUALE E AGJENTËVE – SHKELJE E MARRËVESHJES SË KUMANOVËS


Augustin Palokaj, Bruksel

Duke komentuar deklaratën e përsëritur të kolonelit serb Stojanoviç se shërbimet e zbulimit të kësaj ushtrie janë duke operuar në Kosovë, një zyrtar i NATO-s në Bruksel ka thënë sot se deklarata të tilla janë dhënë thjesht me qëllime propagandistike.
I njëjti burim i NATO-s ka pohuar se megjithatë NATO-ja është duke i verifikuar këto pohime. Ky zyrtar i aleancës po ashtu ka thënë se aleanca në asnjë mënyrë nuk është duke bashkëpunuar me shërbimet e zbulimit të kësaj ushtrie, që kinse ka pohuar koloneli Stojanoviç.
Po të ishin aktive shërbimet e ushtrisë së Serbisë Malit të Zi në territorin e Kosovës, një gjë e tillë do të paraqiste shkelje të marrëveshjes së Kumanovës, të nënshkruar mes NATO-s dhe ushtrisë së atëhershme jugosllave, para se të hynte NATO në Kosovë, thonë dhe zyrtarë të NATO-s në Bruksel, duke përsëritur se një veprimtari e tillë e serbëve do të ishte ilegale. Ndërkohë ekspertët ndërkombëtarë janë të mendimit që me pohime të tilla, koloneli serb dëshiron të përforcojë statusin e tij.
Eksperti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizës me seli në Bruksel Nikolas White, e konsideron angazhimin më të ri medial të shefit të shërbimit të ushtrisë serbe si përpjekje për të forcuar pozitën e tij personale, tani kur Serbia ndeshet me krizën politike të brendshme. Grupi Ndërkombëtar i Krizave që moti përmes një raporti kishte sugjeruar që koloneli Stojanoviç, të përjashtohej nga ushtria jugosllave, për shkak të aktiviteteve të tij në Kosovë në kohën kur ndaj shqiptarëve ishin bërë krime lufte. Emri i kolonelit Stojanoviç lidhet edhe me masakrën e Mejës dhe dëshmitarët e ndryshëm në Hagë e kanë përmendur atë si personin që ka patur rol në urdhëresat për masakrën e Mejës me 27 prill të vitit 1999. Cilado qeveri që do të formohet në Serbi, do të duhet të përballet me atë që ka bërë koloneli Momir Stojanoviç në Kosovë, thonë ekspertët në Bruksel.
Sa i përket pohimeve të Stojanoviçit për veprimtarinë e Al-Kaidës në Kosovë, ato nuk kanë mundur asnjëherë të konfirmohen. Koloneli Stojanoviç mund të jetë tani i frikësuar se ndonjë gjykatë në Serbi do të ngrejë padi kundër tij për krimet në Kosovë, sepse shumë dosje Haga tashmë ua ka dorëzuar autoriteteve gjyqësore në Serbi, pasi është pohuar se vetë prokuroria e Tribunalit nuk do të ngrejë më aktpadi kundër serbëve për krimet në Kosovë, por ato do t'ua lenë autoriteteve serbe.




XS
SM
MD
LG