Ndërlidhjet

MAQEDONIA DHE KOSOVA NUK KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE PËR EKSTRADIM PERSONASH


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

Burime të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë thonë se janë duke u ndërmarrë të gjitha aktivitetet e duhura nga ana e organeve përgjegjëse të vendit, për ekstradimin e Avdyl Jakupit, i njohur si komandant Çakalla, i cili javën e kaluar iu dorëzua forcave të KFOR-it në Kosovë. Duhet theksuar se Çakalla është dënuar në mungesë me 7 vjet burgim nga gjykata e Maqedonisë për rrëmbimin e dy policëve dhe vendosjen e mjeteve shpërthyese në linjën hekurudhore në Sopot. Ndërkohë që ekspertët e të drejtës kushtetuese thonë se nuk egziston bazë juridike për ekstradimin. Çështja qëndron në faktin se ende nuk egziston asnjë marrëveshje mes Maqedonisë dhe UNMIK-ut për ekstradim.
"Është i domosdoshëm nënshkrimi i një marrëveshjeje bilaterale për ekstradim. Nuk mund të funksionojë shteti në bazë të vullnetit të mirë të amerikanëve në Kosovë", thotë Prof.Dr. Vllado Kambovski, duke nënvizuar që gjatë ekstradimit, autoritetet maqedonase duhet të respektojnë parimet e të drejtës ndërkombëtare. Nga ana tjetër eksperti i të drejtës kushtetuese Osman Kadriu është decit. Ekstradimi nuk ka bazë ligjore në rastin Avdyl Jakupit dhe Adnan Abazit, ku ky i fundit thuhet se po ashtu është anëtar i AKSH-së.
Meqënëse statusi i Kosovës është status specifik, në Kosovë akoma veprojnë organet që janë të përkohshme. Gjithashtu këto organe nuk kanë asnjë marrëveshje, jam i mendimit se ekstradimi është në pikëpyetje në rastin konkret dhe duhet të vlerësohet mirë nga aspekti juridik se në cilat raste, me cilat kushte dhe në cilat rrethana mundet të kërkohet ekstradimi", thotë eksperti i të drejtës kushtetuese Osman Kadriu.
Nga ana tjetër Prof.Dr Vllado Kambovski sqaron:
" Ekstradimi mund të kërkohet vetëm për vepra, akte të përcaktuara, pra duhet të ketë aktpadi të definuar ndaj personit për të cilin kërkohet ekstradimi. Dhe jo siç ndodh në drejtësinë tonë; ekstradimi bëhet për një vepër, ndërkohë që pastaj personi i ekstraduar gjykohet për vepra krejt të tjera dhe në këtë formë drejtpërdrejt cënohet drejtësia në Maqedoni", thotë Prof.Dr. Kambovski.
XS
SM
MD
LG