Ndërlidhjet

logo-print

G. BUSH: LIRIA DHE DEMOKRACIA NË LINDJEN E MESME DO TRIUMFOJNË


FRANK CSONGOS

Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush e shprehu bindjen e tij për triumfin e lirisë dhe demokracisë në Lindjen e Mesme.
Para një auditori në Bibliotekën e Kongresit në Uashington, presidenti Bush tha se Iraku në fakt, tani është një komb i lirë, dhe se shenjat e rrënjëve të demokracisë po shihen edhe gjetkë në Lindjen e Mesme, përfshirë Marokun dhe Katarin.
"Një kohë të gjatë politika amerikane shihte anash derisa burrat dhe gratë shtypeshin, të drejtat e tyre nuk përfilleshin ndërsa shpresat u ngulfateshin. Kjo epokë ka marrë fund, dhe duhet të jemi të bindur se ashtu si në Gjermani, në Japoni dhe Evropën Lindore, liria do të ngadhnjejë ndaj shtypjes edhe në Lindjen e Mesme.
Presidenti tha se një Lindje e Mesme jostabile dhe jodemokratike është kundër interesave kombëtare amerikane, dhe mund të jetë magnet për terrorizmin.
"Përderisa rajoni është vend i tiranisë, i dëshpërimit dhe mllefit, vazhdimisht do të prodhojë njerëz dhe lëvizje që e kërcënojnë sigurinë e amerikanëve dhe miqve tanë. Ne e synojmë avancimin e demokracisë për shumë arsye praktike, sepse demokracitë nuk e mbështesin terrorizmin dhe s'e kërcënojnë botën", tha presidenti amerikan.
Lidhur me promovimin e demokracisë në botën arabe, Bushi tha se javën e ardhshme, në tërë Lindjen e Mesme do të fillojë transmetimet një rrjet i ri televiziv në gjuhën arabe. Ai tha se rrjeti do të transmetojë mesazhe të tolerancës, filma, ngjarje sportive dhe program zbavitës.
"Liria e shtypit dhe qarkullimi i lirë i ideve është themeli më vital i lirisë. Për ta ndërprerë propagandën e urrejtjes, që e mbush eterin në botën myslimane dhe për të promovuar debate të hapura, në gjuhët arabe dhe persiane, dhjetra milionë njerëzve do t'ua transmetojmë mesazhet e tolerancës dhe të vërtetës", tha Bush.
Për sa i përket luftës kundër terrorizmit, Bush tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët ndeshen me një armik të pamëshirshëm, në të cilin tha ai, janë përfshirë terroristët që nuk kanë shtet. Ai tha se terroristët janë trashëgimtarë të ideologjive vrasëse të shekullit 20, duke ju referuar me këtë rast fashizmit dhe komunizmit.
Në fjalimin e vet, presidenti amerikan e falënderoi kryeministrin britanik Tony Blair, aleatin më të ngushtë në luftën e Irakut. Ai e ndërlidhi Blair-in me kryeministrin e Luftës së dytë Botërore Winston Churchill, i cili herët i vërejti rreziqet nga fashizmi dhe komunizmi.
"Shkaku i veprimit të koalicionit tonë në Irak, terroristët e humbën burimin e parave për sulmet vetëvrasëse. Shkaku i aksionit tonë, popujt e Lindjes së Mesme më nuk kanë përse të druajnë nga agresioni i diktatorit të pamëshirshëm", tha ai.
"Meqë regjimi Baathist është histori, Iraku më nuk paraqet varrezë dhe kërcënim për popujt e lirë. Iraku tani është një komb i lirë", tha presidenti George Bush në fjalimin që e mbajti në Bibliotekën e Kongresit amerikan.
XS
SM
MD
LG