Ndërlidhjet

FAMILJA E PARË SERBE MIRËPRITET NGA FQINJËT SHQIPTARË


Albana Isufi, Prishtinë

Familja e Dragolub Mitroviçit është e para familje serbe që është kthyer dje në Prishtinë, pas katër vjet qëndrimi në Serbi.
Dragoljub Mitroviçi dhe Vukosava Mitroviç së bashku me të birin Zoranin janë kthyer në shtëpinë e tyre, në rrugën Ace Maroviç, lagje kjo e banuar pothuajse tërësisht me shqiptarë.
Shtëpia e vogël përdhese ka qenë gjithmonë vendbanimi i kësaj familjeje. Kthimin e familjes Mitroviç e ka ndihmuar Shoqata Joqeveritare Amerikane UMKOR.
Kryefamiljari Dragoljub Mitroviç rrëfen se si ka vendosur që të kthehet:
“Nuk ka qenë e lehtë për të marrë vendimin, por ne kemi menduar se kurrë asgjë nuk i kemi bërë askujt. Kështu që edhe shtëpia ka mbetur e tëra, fqinjtë janë këtu dhe vendosëm që pjesën e mbetur të jetës ta kalojmë këtu”, thotë Dragoljub Mitroviç, i cili flet se si ndjehet në ditën e parë të kthimit.
“Po si të them jam pak i emocionuar, por jam i lumtur që e tërë familja jemi mirë. Ka pasur probleme sikur të gjithë në Kosovë, edhe ju edhe ne i kemi pasur këto probleme, por fati më i madh është se edhe familja është shëndoshë dhe ndjehem njësoj sikur me herët. Situata është stabilizuar dhe shpresoj se do të bëhet më mirë".
As zonja e shtëpisë Vukosava Mitroviç nuk i fsheh emocionet.
“Jam e gëzuar që jam kthyer në shtëpi”, thotë zonja Mitroviç, e cila tregon se si ka marrë ndihma ushqimore nga Organizata Joqeveritare Amerikane “UMKOR”
Djali i familjes Mitroviç, Zorani, menjëherë i është përveshur punës në rregullimin e shtëpisë. Thotë se është një ndjenjë e veçantë të kthehesh në shtëpi pas katër vjetësh.
“Emocionet janë shumë të forta kur kthehesh pas katër vjetësh në këtë qytet ku kemi jetuar me dekada dhe gjithsesi se të kujtohet fëmijëria, rinia. Po mundohemi që shumë gjëra t’i rregullojmë, ekzistojnë kushtet minimale. Ne falenderojmë Shoqatën Joqeveritare Amerikane UMKOR për përkrahjen dhe për ndihmën e dhënë.
Familjen Mitroviç e ka vizituar menjëherë fqinji i tyre i parë shqiptar.
“Ishte këtu fqinji im, biseduam dhe më erdhi shumë mirë, duhet të ketë besim në mes vete dhe tolerancë. Përndryshe askush nuk ka mbetur në këtë botë, por derisa të jetohet duhet të jetohet njerëzisht dhe ndershmërisht."
Familja Mitroviç kishte lëshuar Prishtinën më 1 korrik të vitit 1999. Ata kanë jetuar në Vërnjacka Banjë të Serbisë. Kjo familje serbe, e cila është kthyer vullnetarisht në Kosovë, nuk ruhet nga forcat e KFOR-it apo të policisë, siç ndodh me familjet tjera serbe në Prishtinë.


XS
SM
MD
LG