Ndërlidhjet

B. KOSUMI: NDRYSHIMET NË KORNIZËN KUSHTETUESE, KUSHT I DOMOSDOSHËM PËR PLOTËSIMIN E STANDARDEVE


Bajram Kosumi, deputet i Kuvendit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kosumi, si u përgjigjeni ju si deputet i Kuvendit të Kosovës, vërejtjeve, të cilat vijnë nga kreu i OKB-së në Nju Jork, në të cilat thuhet se Kuvendi i Kosovës nuk po i përfill të drejtat e pakicave dhe po merr vendime të cilat nuk janë në kompetencë të këtij kuvendi?

BAJRAM KOSUMI
Sa i përket çështjes së parë, të drejtave të pakicave kombëtare në Kosovë, janë bërë përparime të dukshme. Nuk jemi të kënaqur as ne, as pakicat kombëtare nuk janë të kënaqura, por nuk ka pothuajse asnjë vend, sidomos në Ballkan, ku të jenë të gjithë të kënaqur në këtë çështje. Përderisa shumica, maxhoranca shqiptare dhe institucionet e Kosovës kanë vullnetin që t'i qasen kësaj çështjeje, nga një herë ndonjë prej pakicave, e në rradhë të parë pakica serbe, nuk e ka vullnetin për t'i tejkaluar këto probleme, sepse fatkeqësisht ajo ende dirigjohet nga politikat e Beogradit, të cilat luajnë me fatin e pakicës serbe në Kosovë për interesat e tyre politike. Sa i përket çështjes së dytë, Kuvendi ka kompetenca dhe ka përgjegjësi për t'u marrë me të gjitha problemet e qytetarëve të Kosovës. Unë nuk di një vendim, pavarësisht çfarë mendon zoti Holkeri për çështje të ndryshme, por çështjet që kanë të bëjnë me qytetarët e Kosovës janë në kompetencë të Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendi duhet të merret me to.

RADIO EVROPA E LIRË
Problem aktual lidhur me pakicat është dhe emërimi i një anëtari të kryesisë nga ana e pakicave joserbe. Për ta zgjidhur këtë problem ndërhyri edhe vetë shefi i UNMIK-ut. Si e shihni rrugëdaljen ju meqënëse jeni edhe vetë anëtar i Kryesisë?

BAJRAM KOSUMI
Mendoj se është krijuar një problem pa asnjë nevojë. Askush nuk ka patur interes të krijojë problem, por më tepër ka qenë gabim teknik që ka ardhur deri tek ky problem. Kryesia në mbledhjen e saj të fundit, ka hyrë në rrugë të mbarë për ta zgjidhur këtë çështje. Është formuar një grup nga kryesia prej 3 anëtarësh, të cilët do t'i thërrasin deputetët e Kuvendit të Kosovës, që u takojnë partive që përfaqësojnë komunitetet joshqiptare dhe joserbe, do të marrin propozimin e tyre sipas marrëveshjes që ata kanë patur, marrëveshjes gojore, do të marrin miratimin e tyre dhe kë dëshirojnë ata ta propozojnë, Kuvendi do të japë një votë formale, siç është në Kornizën Kushtetuese dhe në interesin e atyre grupimeve politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kosumi, ju jeni dhe anëtar i grupit për ndryshime kushtetuese. Dje kabineti i kryeparlamentarit Daci tha se në këtë fazë Kuvendi nuk do të miratojë ndryshime thelbësore. Cili është qëndrimi i grupit në anën tjetër?

BAJRAM KOSUMI
Mendoj se Kuvendi i Kosovës do të bëjë ato ndryshime në Kornizën Kushtetuese, në mënyrë që Korniza të mos bëhet pengesë e proceseve të gjithmbarëshme të zhvillimit në Kosovë. A janë ato thelbësore apo jo thelbësore, varet kush dhe si i sheh. Nëse pyetet zyra ligjore e UNMIK-ut asnjë pikë nuk ndryshon në Kornizën Kushtetuese. Por unë mendoj se do të pyetet populli i Kosovës dhe do të shikohet interesi që procesi të ecë përpara. Korniza Kushtetuese deri më tani ka ndihmuar që të krijohen institucionet e Kosovës dhe ka ndihmuar procesin të ecë përpara. Tani Korniza Kushtetuese, në disa pjesë të veta, është bërë pengesë e procesit dhe grupi që ka punuar, ka bërë propozime që ato pjesë, të cilat janë pengesë, siç është çështja e kompetencave, çështja e gjyqësisë, çështja e drejtësisë, çështja e politikës së jashtme, çështja e të drejtës së popullit që të zgjidhë problemet themelore përmes referendumit, janë çështje që e ndihmojnë procesin dhe si të tilla besoj se Kuvendi i Kosovës duhet t'i përballë dhe duhet t'i votojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas miratimit të vendimit të Kuvendit për këto ndryshime, a pritet një seri takimesh me UNMIK-un, që sërisht vjen tek një harmonizim i këtyre ndryshimeve, meqënëse dihet që për hyrjen në fuqi nevojitet edhe miratimi i zotit Holkeri?

BAJRAM KOSUMI
Natyrisht që do të duhet. Si duket avancimi i procesit politik në Kosovë është i paragjykuar të jetë pak në harmoni edhe me administratën e UNMIK-ut, e cila nga ana tjetër është aq shumë burokratike, saqë nuk është e interesuar të bëjë asnjë avancim. Por ne do të tentojmë si Kuvend i Kosovës, si parti politike e Kosovës, si institucion i Kosovës, të marrim miratimin e Nju Jorkut, e Këshillit të Sigurimit dhe do të gjejmë një përkrahje nga atje, sepse përndryshe nëse mbetemi që të vendosin burokratët e UNMIK-ut në Kosovë, atëhere në Kosovë procesi është i dënuar.

RADIO EVROPA ELIRË
Rrjedhimisht nga kjo, sa atëhere konsideroni se këto ndryshime do të ndihmojnë në procesin e plotësimit të standardeve kur dihet se qeveria vendore është ankuar disa herë se nuk ka kompetenca për të vepruar?

BAJRAM KOSUMI
Ne jemi të bindur në Aleancë që nuk guxojmë ta lemë Kosovën dhe institucionet e Kosovës të futen në çështje thelbësore, të futen në statusin final pa patur kompetenca. Kjo është një politikë e gabuar. Kosova do të ketë të gjitha përgjegjësitë që t'i qaset zgjidhjes së statusit final. Në të kundërtën, nëse Kosova futet në zgjidhjen e statusit final pa i patur përgjegjësitë, atëhere Kosova është e dënuar dhe është e favorizuar Serbia. Marrja e kompetencave dhe në këtë drejtim ndryshimet në Kornizën Kushtetuese, janë parakusht për plotësimin e standardeve. Mendoj se deputetët, grupet parlamentare kanë gabuar kur vetëm e kanë futur në procedurë nismën tonë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe e kanë lënë të flejë në sirtar. Kjo legjislaturë është në fund të mandatit të vet dhe është duke e lëshuar rastin më të mirë dhe më të domosdoshëm për ta bërë hapin vendimtar, për të përcaktuar definitivisht kahjen e zhvillimit të procesit politik në Kosovë.

Intervistoi Zijadin Gashi



XS
SM
MD
LG