Ndërlidhjet

SHKUPI KËRKON EKSTRADIMIN E JAKUPIT, UNMIK-U KËRKON PLOTËSIMIN E DOSJES


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Avdyl Jakupi nga Maqedonia, i njohur me emrin e luftës si komandant Çakalla, mund të ekstradohet në Maqedoni, pasi kërkesa për ekstradim tashmë është dorëzuar, ndërsa departamenti ligjor i UNMIK-ut është duke pritur kompletimin e dosjes së tij për ekstradim me akuza të reja. Zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë konfirmuar të kenë marrë nga autoritetet maqedonase kërkesën për ekstradimin e Avdyl Jakupit:
"Po, kërkesa formale për ekstradim është dorëzuar nga autoritetet maqedonase dhe ne aktualisht po presim vetëm kompletimin," tha zëdhënësja e UNMIK-ut, Izabella Karlovicz.
Mirëpo, historia e kërkesës për ekstradimin e Avdyl Jakupit nuk është e re dhe kërkesa nuk është bërë pas arrestimit të tij, pasi sipas zëdhënëses Karlovicz:
"Autoritetet maqedonase kanë dërguar në UNMIK një kërkesë për ekstradim shtatorin e kaluar, për krime të kryera më 27 gusht të vitit 2003," tha zëdhënësja Karlovicz, duke shpjeguar historinë e procedurave lidhur me ekstradimin e Abdyl Jakupit, i cili më parë është dënuar në mungesë në Maqedoni për krime të kryera në mars të vitit 2003 në Maqedoni. Sidoqoftë, kërkesa për ekstradim e vitit të kaluar nuk përfshin edhe një pjesë tjetër të akuzave të autoriteteve maqedonase kundër Avdyl Jakupit. Duke pasur parasysh faktin se një person mund të ekstradohet vetëm për krimet që përmenden në kërkesën për ekstradim, atëherë pala maqedonase ka kërkuar që t’i shtojë kërkesës edhe akuzat e tjera, në mënyrë që të sigurohet se përgjigja e UNMIK-ut do të jetë pozitive:
"Ne jemi duke pritur autoritetet e Maqedonisë të përgatisin të gjithë materialin e nevojshëm për ekstradim, ndërsa për vetë ekstradimin do të vendoset nga një panel gjyqtarësh që do të mblidhet posaçërisht për këtë punë," tha zëdhënësja Izabella Karlovicz.
Sidoqoftë, Avdyl Jakupi prej një jave po mbahet i arrestuar nga policia ku është dorëzuar pasi i ishte vetëdorëzuar KFOR-it amerikan, që e ka transferuar te policia e UNMIK-ut. Zëdhënësi i policisë Derek Chappell tha se Avdyl Jakupi vetëm po mbahet i ndaluar, duke pritur procedurat e mëtejshme që nuk varen nga policia:
"Ne thjesht e respektojmë fletarrestin e Maqedonisë. E kemi arrestuar atë dhe po e mbajmë në paraburgim, duke pritur kërkesën për ekstradim dhe sapo ky proces të mbarojë në departamentin e drejtësisë, ne do ta dërgojmë atë në kufi dhe t’ua dorëzojmë maqedonasve," tha Derek Chappell, sipas të cilit aktualisht policia e UNMIK-ut nuk po zhvillon ndonjë procedurë hetimore kundër Avdyl Jakupit. Atij, sipas zëdhënëses së UNMIK-ut, Izabella Karlovicz, i është përcaktuar një afat 45 ditësh i paraburgimit dhe gjatë kësaj kohe do të vendoset lidhur me ekstradimin e tij.
Mirëpo, aktualisht askush nuk mund të shpjegojë nëse ekstradimi mund të bëhet në këtë rast, kur dihet se Kosova apo UNMIK-u dhe Maqedonia nuk kanë të nënshkruar një marrëveshje bilaterale për ekstradim.

XS
SM
MD
LG