Ndërlidhjet

KTHIMI I TË ZHVENDOSURVE, PROVË PËR ARRITJEN E STABILITETIT DHE SIGURISË


Milazim Krasniqi

Nëse kthimi i një familjeje serbe në Prishtinë shndërrohet në lajm të dorës së parë, kjo do të thotë se sa i përket kësaj çështjeje, shoqëria kosovare ende është në hapat e parë të realizimit të këtij standardi. Sidoqoftë kthimi i kësaj familjeje në shtëpinë e vet në kryeqytetin e Kosovës, përveç aspektit medial, ka rëndësinë e madhe psikologjike politike dhe morale për shoqërinë në përgjithësi. Në rend të parë padyshim është thyerja e barrierës psikologjike, që ka lënë prapa vetes lufta tragjike. Qytetarët duhet të mësohen të bashkëjetojnë sërisht aktivisht dhe në tolerancë me pjesëtarët e komuniteteve të tjera, me të cilat kanë jetuar bashkë në këtë qytet edhe në të kaluarën. Thyerja e kësaj barriere psikologjike është më e lehtë në realitetet e reja të lirisë së Kosovës, në të cilin çdo i kthyer në fakt e di se po kthehet në një realitet të ri dhe vetë fakti që kthehet e bën të pranueshëm atë realitet. Thënë më thjeshtë, secili qytetar duhet të ketë të qartë se ata që kthehen, nuk e marrin me vete Serbinë, por kthehen në shtëpitë e tyre si qytetarë të Kosovës pavarësisht se me çfarë termash artikulohet ky fakt. Nga ana tjetër krijimi i mundësisë që të kthehen banorët në shtëpitë e veta, pavarësisht nga përkatësia etnike, është një fitore politike e institucioneve të Kosovës, dhe e administratës civile ndërkombëtare. Vetëm një shkallë e lartë e stabilitetit të arritur dhe sigurisë solide mundëson kthimin. Prandaj nëse kthimi po ndodh, kjo do të thotë se këto standarde po arrihen dhe po bëhen realitet. I rëndësishëm në këtë aspekt është dhe dimensioni moral i kthimit të të zhvendosurve. Askush nuk mund të kërkojë që të funksionojnë dy kritere të ndryshme për një gjë të vetme. Pra e drejta për kthim e të zhvendosurve në shtëpitë e veta vlen për të gjithë banorët e Kosovës. Në këtë aspekt moral shoqëria kosovare ka gjasa të heqë nga vetja një barrë që i ka mbetur nga pasojat e luftës, e që më vonë është definuar si mungesë tolerance dhe urrejtje mbi baza etnike. Ndërsa përvojat e së kaluarës dëshmojnë për një tolerancë shëmbullore të shqiptarëve në planin etnik dhe fetar. Rikonfirmimi i kësaj tolerance do të ishte përmbushje e njërit nga standardet më të rëndësishëm të Kosovës, i cili i hap rrugën procesit të definimit të statusit përfundimtar. Krijimi i një shoqërie tolerante dhe multietnike do të ishte argumenti më i pakundërshtueshëm për aftësitë shtetformuese të kosovarëve dhe për arritjen e pavarësisë.
Në kontekst të kthimit të të zhvendosurve, këto ditë ka patur sinjale të mira dhe për kthimin e romëve dhe të ashkalive në Mitrovicë. Zyrtarë të komunës së Mitrovicës kanë shpalosur planet konkrete për kthimin e tyre në shtëpitë e veta në pjesën jugore të qytetit. Madje ky projekt do të mund të shërbente si një model i suksesshëm për kthimin, duke i hapur rrugë edhe kthimit të shqiptarëve në shtëpitë e veta në pjesën veriore të qytetit dhe të serbëve në pjesën jugore. Ky model do të ishte shtylla kryesore e ribashkimit faktik të qytetit të Mitrovicës. Përfundimisht çështja e kthimit të të zhvendosurve do të ishte testi më i mirë për realizimin kompleks dhe të suksesshëm të të gjitha standardeve për Kosovën.


XS
SM
MD
LG