Ndërlidhjet

NDRYSHIMET EVENTUALE TË KORNIZËS KUSHTETUESE ASHPËRSOJNË RAPORTET NË KUVEND


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësuesit e koalicionit të serbëve Kthimi në Kuvendin e Kosovës do ta shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes nga të gjitha institucionet e Kosovës, në rast se Kuvendi do të miratojë ndryshimet e propozuara në Kornizën Kushtetuese, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, shefi i këtij koalicioni Dragisha Kërstoviç. Ai i ka bërë këto vlerësime duke komentuar një deklaratë të ngjashme të shefit të të ashtuquajturës Qendra Koordinuese Serbe për Kosovën, Nebojsha Çoviç, ndërkohë që përfaqësues shqiptarë të Kuvendit të Kosovës thonë se deklarata e Çoviçit është shprehje e nevojës së vazhdueshme të Serbisë për destruksion dhe pengim të proceseve në Kosovë.
Sidoqoftë, zoti Kërstoviç tha se është e mundshme tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës, nëse miratohen ndryshimet në Kornizën Kushtetuese:
"Jemi vërtet mjaft afër një vendimi të tillë dhe kemi një qëndrim shumë negativ në rast të fillimit të ndryshimeve në kornizën kushtetuese," tha zoti Kërstoviç, për të shtuar se ende nuk ka ndonjë qëndrim përfundimtar lidhur me këtë çështje, mirëpo gjithsesi, koalicioni Kthimi në rast të ndryshimeve në Kornizën Kushtetuese do të shqyrtojë nëse vërtet ka ndonjë kuptim mbetja e mëtejshme në parlamentin e Kosovës.
Mirëpo, Fatmir Sejdiu, anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i grupit punues për ndryshimet në Kornizën Kushtetuese thotë se nuk do të merren parasysh kërcënimet e Çoviçit:
"Mund të them lirisht se institucionet e Kosovës punojnë si institucione të pavarura të vetëqeverisjes së përkohshme, natyrisht me një mandat ndërkombëtar dhe nuk kemi të bëjmë me atë se çfarë Çoviçi apo të tjerët mëtojnë të plasojnë idetë e tyre mbi Kosovën, pasi nuk kanë kompetenca mbi këtë çështje. Ne do të përpiqemi që bashkë me bashkësinë ndërkombëtare të bëjmë një marrëveshje finale, e cila do të jetë produkt i një mirëkuptimi dhe që ndryshimet kushtetuese të mbështesin proceset e reja, sikur edhe ato të deritashmet, sidomos ato që kanë të bëjnë me bartjen e përgjegjësive" tha zoti Sejdiu, për të shtuar se edhe serbët janë pjesë e këtij projekti:
"Serbët janë në ekip. Përfaqësuesi i tyre, vetë shefi i grupit parlamentar Kërstoviç është anëtar i grupit punues, herë vjen e herë jo, por është pjesëtar i ekipit".
Duke u përgjigjur, Kërstoviç thotë:
"Është e vërtetë se unë jam anëtar i këtij grupi, mirëpo qëndrimin tim e kam shfaqur në Kuvend, mirëpo falë rrethanave unë asnjëherë nuk kam pasur rastin që edhe në kuadër të grupit të paraqes qëndrimin tim," tha Kërstoviç, duke shtuar se ai dhe anëtarët e tjerë të koalicionit Kthimi do të pajtoheshin me disa ndryshime që nuk e ndryshojnë pozicionin aktual të institucioneve të Kosovës, por do të ndikonin për përmirësimin e jetës së njerëzve në Kosovë. Duke shpjeguar arsyet e mospajtimit të serbëve, Kërstoviç thotë:
"Ne konsiderojmë se nuk ka nevojë për ndryshime në Kornizën Kushtetuese dhe përpjekjet për ta bërë këtë çojnë kah ajo që institucionet e Kosovës të marrin pothuasje të gjitha kompetencat që aktualisht janë të rezervuara për kryeadministratorin ndërkombëtar të Kosovës," tha Kërstoviç.
Mirëpo, Fatmir Sejdiu thotë se këto deklarata nuk mund ta pengojnë projektin për ndryshimet në Kornizën Kushtetuese:
"Mund ta kuptoj vetëm si nevojë të destruksionit të vazhdueshëm që Serbai bën në raport me Kosovën dhe dëshira e tyre është që të pengojnë të gjitha proceset. Pra edhe këtë proces, duke pasur parasysh atë që supozohet realisht se çfarë do të jetë, pra një mbështetje e udhëtimit të mëtejshëm drejt vetëqeverisjes substanciale dhe përgatitje e terrenit për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës."
Sidoqoftë, deri më tani grupi punues nuk ia ka dërguar kryesisë propozimet për ndryshimet në Kornizën Kushtetuese, prandaj çështja ende ka mbetur pa u proceduar në Kuvend dhe nuk dihet një datë e saktë për këtë.



XS
SM
MD
LG