Ndërlidhjet

MEDIAT MAQEDONASE SHPALLËN EMRAT E PERSONAVE QË GJENDEN NË LISTËN E ZEZË TË BE-SË


Sefer Tahiri, Shkup

Personat në listën e zezë të Bashkimit Evropian, sipas mediave, janë:
Avdyl Jakupi, Xhemail Hyseini, Hamdi Bajrami, Gafurr Adili, Sait Rushiti, Izair Samiu, Fadil Sulejmani, Gjylere Sulejmani, Spiro Budka, Daut Rexhepi, Goran Stoikov dhe Goran Ilievski. Kjo listë e njerëzve që e rrezikojnë paqen në Maqedoni ende nuk është definitive dhe mund të pësojë ndryshime deri të martën, kur Bashkimi Evropian formalisht do ta miratojë, pasi për të duhet të japin pajtueshmërinë të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian. Përfaqësuesit qeveritarë dhe ata të Bashkimit Evropian në Maqedoni, nuk deshën ta komentojnë përmbajtjen e listës së zezë. Dy persona të kësaj liste Avdyl Jakupi, apo Çakalla dhe Xhemail Hyseini i njohur si Xhemi Shei, gjenden në paraburgim në Kosovë, ndërsa organet shtetërore kanë kërkuar ekstradimin e tyre. Gafurr Adili, i cili është njëri nga udhëheqësit e Armatës Kombëtare Shqiptare, u burgos dhe më pas u kërkua largimi i tij nga autoritetet e Shqipërisë, ndërsa komandant Brezës nuk i dihen gjurmët. Për këto persona si dhe për Sait Rushitin, i cili para disa kohësh u plagos dhe i shpëtoi policisë gjatë një tentimi të saj për ta burgosur, Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur fletë arresti ndërkombëtare. Në listën e zezë gjendet dhe Fadil Sulejmani, kryetar i bordit të Universitetit të Tetovës, pastaj Izair Samiu dhe Gjylere Sulejmani, të cilët akuzohen për ndërhyrje të paligjshme në objektin e TetovTabakut, ku zhvillojnë procesin arsimor disa fakultete të Universitetit të Tetovës. Ish-rektori i këtij universiteti Fadil Sulejmani thekson për Evropën e Lirë se kjo listë është përpiluar nga qeveria e Maqedonisë, dhe shton se asnjëherë nuk i ka bërë obstruksion zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
"Mua nuk më lidh asgjë me Marrëveshjen e Ohrit, as nuk jam kundër zbatimit të këtij ligji që i hapi dyert zyrtarizimit të Universitetit të Tetovës. Gjithashtu unë nuk jam kundër ndarjes territoriale të Maqedonisë. Në atë listë duhet të vihen vetë pushtetarët maqedonas që vazhdojnë edhe më t'i diskriminojnë shqiptarët", tha Fadil Sulejmani.
Zoti Sulejmani më pas thotë se me futjen e tij në këtë listë do t'i pamundësohet pjesëmarrja në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare.
"Kam marrë disa ftesa që të marr pjesë në disa kongrese, simpoziume, që do të organizohen në Jeruzalem, në Dablin edhe në Gjermani. Tani ndoshta si shpërblim ma japin këtë që të mos kem unë mundësi të dal jashtë të vete të them të vërtetën se në Maqedoni nuk ka demokraci", thotë Fadil Sulejmani.
Në listën e zezë të Bashkimit Evropian gjendet edhe udhëheqësi i njësisë speciale "Luanët" Goran Stoikov dhe anëtari i kësaj njësie Goran Ilievski. Në këtë listë sipas mediave në Maqedoni gjendet edhe Spiro Budka, gjeneral në pension i Armatës së Shqipërisë dhe ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Daut Rexhepi, i cili një kohë ishte dhe kryetar i degës së Tetovës së Partisë Demokratike Shqiptare.


XS
SM
MD
LG