Ndërlidhjet

logo-print

SUFICITI PREJ 75 MILION EUROSH ËSHTË I LARTË THONË EKSPERTËT


Albana Isufi, Prishtinë

Edhe këtë vit buxhetit të konsoliduar të Kosovës do t’i shtohet suficiti prej 75 milionësh euro nga viti i kaluar. Mirëpo, jo të gjitha projektet e planifikuara të qeverisë apo të komunave kanë përfunduar vitin e kaluar, për të pasur një suficit të tillë.
Fenomenin e suficitit, zyrtarë nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financave, e shpjegojnë me arsyetimin se Kosova nuk ka të drejtë të emetojë para dhe të marrë hua publike.
Këshilltari në këtë ministri, Mixhaid Reçi, thotë se suficiti në të shumtën e rasteve planifikohet vetë.
”Ne faktikisht nëse shkojmë në defiçit, është i vetmi shtet në botë që nëse një muaj nuk kemi mjete duhet i tërë populli të mos marrë të ardhura personale dhe bllokohet jeta. Prandaj frika për të mos ardhur te një pozitë e tillë është shumë e madhe. Prandaj detyrimisht duhet të ketë një shkallë të suficitit," tha Reçi.
Por, eksperti ekonomik, Muhamet Mustafa thotë se në kushtet e Kosovës një shumë kaq e lartë e suficitit është e pakuptueshme.
”Në kushtet kur Kosova nuk mund të ketë një deficit, një suficit prej 10-15 milionësh ndoshta do të ishte i kuptueshëm dhe i nevojshëm, por një suficit prej 70 ose 75 milionësh, ose një kesh i pashpenzuar gjatë tri vjetëve të fundit deri në 330 milionë sa e ka vlerësuar Fondi Monetar Ndërkombëtar, për kushtet e Kosovës është i tepërt dhe nuk është në funksion të zhvillimit ekonomik," vlerëson Muhamet Mustafa.
Ndërkohë, nevojat urgjente që i ka paraqitur Ministria e Ekonomisë dhe e Financave për mjetet e suficitit kapin shumën prej 120 milionë eurosh dhe kanë të bëjnë kryesisht me financimin e projekteve të KEK-ut, Aeroportit, Trepçës, TMK-së dhe komunave.
Për ndarjen e këtyre mjeteve nevojitet pajtimi në mes të qeverisë, Kuvendit dhe shefit të UNMIK-ut. Një zëdhënës i UNMIK-ut thotë se mjetet do të ndahen pas takimit të Këshillit Ekonomiko-Fiskal.
“Do të diskutohet kjo çështje në takimin e Këshillit Ekonomik Fiskal dhe përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm do ta marrë vendimin për ndarjen e këtyre mjeteve. Por nuk e di se kur do ta marrë këtë vendim," tha Kris Litier, zëdhënës i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut.
Ekspertët ekonomikë thonë se ndarja e suficitit mund të shkaktojë përplasje në mes të UNMIK-ut dhe të qeverisë. Drejtori i RIINVEST-it Muhamet Mustafa tërheq vërejtjen se shpërndarja shkel e shko e suficitit buxhetor është më e rrezikshme se vetë suficiti.
”Vetë suficiti i rrit apetitet e njerëzve për shembull t’i japim kësaj apo asaj, pa programe të cilat do të ishin prioritet. Puna më e mençur do të ishte që suficiti të kthehet për biznese, kredi për hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Mustafa.
Mustafa thotë se në Kosovë ende nuk është krijuar një bazë solide për planifikim të duhur të buxhetit, por edhe agjencitë shpenzuese nuk kanë programe për ta shpenzuar buxhetin e dedikuar për to.
Në fund të vitit të kaluar zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave patën deklaruar se suficiti i viti 2003 ishte 332 milionë euro. Megjithatë tani ata thonë se rreth 260 milionë euro nga kjo shumë kanë qenë të kontraktuara, kështu që vetëm 75 milionë euro mbesin të lira për t’u shfrytëzuar për projekte kapitale për këtë vit.




XS
SM
MD
LG