Ndërlidhjet

logo-print

DEL PONTE: KARAXHIÇI DHE MLLADIÇI JANË NË BEOGRAD


Augustin Palokaj, Bruksel

Raportet në mes të Beogradit dhe Tribunalit të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi janë ngrirë tërësisht ka thënë sot në Bruksel prokurorja e Tribunalit Karla del Ponte, pas takimit që ka patur me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Havier Solanën. Del Ponte tha se është shumë e shqetësuar për këtë dhe e ftoi për një presion më të madh ndërkombëtar ndaj Beogradit, ku tani përveç të akuzuarit, gjeneralit serb të Bosnjes Radko Mlladiç, edhe Radovan Karaxhiçi gjendet në Beograd sipas saj.
"Duhet të them se që nga java e kaluar kam informata nga burime të besueshme se edhe Radovan Karaxhiçi tani gjendet në Beograd. Kjo ka ndodhur pas NATO-ja dhe bashkësia ndërkombëtare, kanë rritur presionin ndaj tij në Bosnje Hercegovinë," ka thënë Karla Del Ponte sot në Bruksel.
"Beogradi tani është bërë parajsë sigurie për të arratisurit, tani dy të akuzuarit kryesorë të Hagës, Karaxhiçi dhe Mlladiçi janë atje dhe dikush duhet të bëjë presion që ata të dorëzohen," ka thënë Del Ponte, duke shtuar se atje janë 15 të akuzuar të Hagës që nuk janë arrestuar ende. Tribunali nuk do të përfundojë punën derisa këta të mos gjenden në Hagë, ka përsëritur dhe sot zonja Karla Del Ponte.
Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës po ashtu ka thënë sot në Bruksel se pret bashkëpunim edhe nga bashkësia ndërkombëtare, që të sigurohet dorëzimi i të gjithë të akuzuarve këtë vit. Ajo gjatë qëndrimit në Bruksel takohet sot edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, ndërsa do të marrë pjesë edhe në takimin e Partneritetit Euro-Atllantik.




XS
SM
MD
LG