Ndërlidhjet

VENDORËT E KUNDËRSHTOJNË PJESËMARRJEN E QENDRËS KOORDINUESE SERBE NË BISEDIMET TEKNIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Synimi i UNMIK-ut, shprehur së fundi nga kryeadministratori Holkeri që Qendra Koordinuese e Serbisë për Kosovën e udhëhequr nga Nebojsha Çoviç t6 jetë partneri i Kosovës për bisedime, e ka bërë të paqartë punën e rifillimit të bisedimeve teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi, ndërkohë që në Serbi nuk ka një qeveri të re që do të merrej me këtë punë.
Zëdhënësja e UNMIK-ut, Izabella Karlovicz tha se ky fakt nuk e pengon dialogun, pasi anëtarët e grupeve për energjetikë dhe për të zhdukurit që janë çështjet e rendit të ditës, do të jetë personel teknik dhe e vetmja që na duhet është që grupet teknike të takohen:
"Unë nuk mendoj se situata politike në Serbi do ta pengojë procesin e fillimit të dialogut, pasi bëhet fjalë për një dialog teknik," tha zëdhënësja Karlovicz.
Mirëpo, partneritetin e Qendrës Koordinuese Serbe, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi e ka quajtur shenjë të mungesës së seriozitetit të Beogradit lidhur me dialogun teknik:
"Vetë fakti nëse ata do të vendosin që Qendra Koordinuese të përfaqësojë Serbinë, tregon se ata nuk janë të interesuar për dialog të mirëfilltë, mirëpo këto janë çështje të tyre dhe ne do ta shprehim hezitimin tonë, por nuk do të jemi pala që do ta bllokojë procesin", ka thënë Rexhepi.
Në anën tjetër, koordinatori për të kthyerit në zyrën e UNMIK-ut, Milorad Todoroviç, i cili njëkohësisht është edhe anëtar i Qendrës Koordinuese, thotë se është çështje e Beogradit se kush do të zhvillojë dhe udhëheqë dialogun:
"Unë nuk shoh kurrfarë kuptimi që dikush nga Prishtina të përcaktojë se kush nga Beogradi do të paraqitet në bisedime dhe kjo më duket si një përpjekje për t’iu shmangur bisedimeve në një mënyrë të pashkathët", tha Todoroviç, sipas të cilit Qendra Koordinuese është i vetmi organ që ka të nënshkruar dokument zyrtar për bashkëpunim me UNMIK-un.
Mirëpo, kryeministri Rexhepi ka deklaruar se pikërisht kjo qendër ka penguar shumë procese në Kosovë:
"Edhe në SHBA i kam shprehur qëndrimet e mia se Qendra Koordinuese ka pasur rol destruktiv, sidomos në çështjen e kthimit dhe institucionet paralele dhe shprehimisht kam thënë se sikur të mos e kishim pasur “ndihmën” e tyre, ne do të kishim arritur progres më të madh në çështjen e kthimit, në zhbërjen e strukturave paralele dhe kam kërkuar që të gjenden mekanizma që do të tregonin se ata seriozisht janë të interesuar për dialog."
Në anën tjetër, zëdhënësja e UNMIK-ut Izabella Karlovicz ka thënë se Qendra Koordinuese Serbe nuk është strukturë paralele:
"Absolutisht jo, Qendra Koordinuese Serbe është ndërmjetësuesi ynë. Ajo është qendër koordinuese për Kosovën, organ i emëruar nga qeveria e Serbisë që të merret me çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën," tha zëdhënësja e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Izabella Karlovicz.
Sidoqoftë, qeveria e Kosovës ka përsëritur gadishmërinë për dialog teknik, që është njëkohësisht njëri prej standardeve që duhen përmbushur para fillimit të përcaktimit të statusit përfundimtar.


XS
SM
MD
LG