Ndërlidhjet

logo-print

OPOZITA THOTË SE DO VAZHDOJË PROTESTAT


Alma Çupi, Tiranë

Opozita duhet të bashkohet dhe të bëhet pararojë e ndryshimeve në Shqipëri. Të gjitha partitë politike të opozitës, të mbledhura sot në një tryezë të përbashkët, kërkuan që protestat me moton “Nano Ik” të
vazhdojnë dhe të hartohet një strategji për ndryshime ku t’u afrohen shqiptarëve alternativa dhe zgjidhje konkrete.
Në këtë tryezë mungonte Partia Demokrate e Re dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ftoi edhe përfaqësuesit e kësaj partie, duke theksuar se në tryezën opozitare nuk mund të ulen vetëm partitë që
s'e mbështesin qeverinë. Më tej lideri i demokratëve Berisha tha se lëvizja “Nano ik” nuk është një lëvizje për pushtet, por synon që t’u japë përgjigje problemeve të krijuara nga korrupsioni i qeveritarëve.
" Nuk e kemi nisur këtë lëvizje për pushtet, sepse ne u përkasim atyre forcave që pushtetin e pranojnë vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por lëvizja jonë " Nano Ik" synon pra t'u japë përgjigje vendimtare problemeve më madhore të krijuara nga kjo qeveri, me papërgjegjshmërinë e saj, me sistemin e korrupsionit që ka vendosur, me krimin e organizuar", tha Berisha.
Ndërsa kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, përshëndeti nismën e Partisë Demokratike për këto protesta dhe kërkoi zgjedhje të parakohshme. Republikani Mediu kërkoi gjithashtu që opozita të jetë e bashkuar dhe t’u prijë ndryshimeve si dhe të ofrojë zgjidhje konkrete.
" Po në gjykimin tonë si politikanë unë mendoj se opozita nuk mund të jetë thjesht në një valë me shoqërinë shqiptare. Është e domosdoshme që ajo t'u prijë ndryshimeve dhe ka për mision që të ofrojë zgjidhje konkrete për shoqërinë shqiptare, për faktorin ndërkombëtar dhe ka nevojë në rradhë të parë për një institucionalizim të marrëdhënies brenda për brenda vetes, për të realizuar një opozitë të bashkuar duke lënë mënjanë disa tendenca personale", tha Mediu.
Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Partia Demokristiane kërkuan që opozita t'i vazhdojë protestat pa ndërprerje si një mënyrë e të shprehurit të qytetarëve ndaj qeverisjes së papërgjegjshme dhe të korruptuar. Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahiu,
tha se protestat duhet të jenë paqësore dhe të ruhen nga elementët provokativë, që mund t’i devijojnë protestat paqësore drejt protestave të dhunshme.
"Ne do të kemi dhe do të vazhdojmë të kemi provokime nga ana e qeverisë socialiste, në mënyrë të padiskutueshme, sepse ato do të përpiqen që të krijojnë imazhin e dhunës së protestës qytetare, ose protesta të kufizuara, në një kohë që nuk janë të tilla. Por është detyrimi ynë që ne patjetër të përcaktojmë formatet dhe mënyrat e organizimit dhe të funksionimit normal të protestës, jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë", tha Spahiu.
Tryeza e partive opozitare u mblodh për të përcaktuar strategjinë dhe etapat e protestave me moton “Nano Ik”. Partitë opozitare vendosën që protestat t’i vazhdojnë pa ndërprerje dhe të përgatisin kushtet për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme, si e vetmja rrugë për
zgjidhjen e problemeve të akumuluara.

XS
SM
MD
LG