Ndërlidhjet

A. STAROVA: KUR NJË QEVERISJE DËSHTON, HAPET RRUGA PËR NJË QEVERISJE TJETËR


Arjan Starova, deputet i Partisë Liberale në parlamentin shqiptar

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Starova, a mendoni se me protestat e javës së shkuar dhe paralajmërimet për vazhdimin e tyre, kriza politike në Shqipëri po hyn në një fazë të re?

ARJAN STAROVA
Po unë besoj që me thellimin e protestave të cilat priten të rifillojnë më datën 21 shkurt, hyhet në një fazë të re dhe thelbi i kësaj faze natyrisht është ajo që jemi më afër ndërrimit të kësaj qeverisje. Se çdo të ndodhi më pas ne ende nuk e dimë, por një gjë është e qartë: protestat vërtet kanë një parrullë e cila thotë "Nano Ik", por këtu nuk është fjala për Nanon se Nano është një individ, këtu është fjala për një qeverisje të tërë socialiste, apo qeverisje të majtë, një koalicion të majtë, i cili ka dështuar në shumë drejtime. Në rradhë të parë duhet ta kthejmë vështrimin tek ato gjëra që lidhen, apo tek ato tregues të cilët lidhen me mirëqënien e njerëzve, por nga ana tjetër edhe në treguesit që lidhen me integrimet Euro-Atllantike të Shqipërisë. Në të gjitha këto ka një ngecje. Ka kritika të ashpra jo vetëm nga brenda por edhe nga jashtë, jo vetëm nga opozita, por edhe nga faktori ndërkombëtar, ku Shqipëria akuzohet për lidhje me krimin, për korrupsion në shkallë galopante, për një lloj stanjacioni lidhur me zhvillimin ekonomik, me krijimin e pasurisë nga brenda e shumë e shumë gjëra të tjera. Kështu që kjo lloj lëvizje, e cila që nga 21 shkurti nuk mund të quhet protestë vetëm e partive opozitare, por e tërë forcave opozitare dhe këtu kam parasysh dhe shumë faktorë të tjerë përveç partive politike, përfaqësues të shoqërisë civile. Pra mendoj se hyhet në një fazë të re, kur do të jemi pranë ndryshimit të qeverisjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni bashkëpunimin e partive të djathta pas tryezës së të mërkurës?

ARJAN STAROVA
Mendohet që lëvizja e partive politike opozitare, protestat e tyre të shndërrohen në një lëvizje shumë më të gjerë. Ideja është që të zgjerohet shumë tryeza dhe në datë 16 do të ketë një tryezë tjetër, ku përveç partive tona, do të jenë të ftuar edhe shumë faktorë të tjerë nga shoqëria civile dhe zëra të pavarur apo njerëz me influencë. Qëllimi kryesor i kësaj tryeze nuk është thjesht organizimi i një proteste, kjo është shumë e pakët dhe protesta është vetëm mjeti. Qëllimi është që të ketë një lloj institucionalizimi të gjithë këtyre faktorëve, ku në rradhë të parë të merren parasysh interesat e të gjithë palëve, me qëllim që të konsolidohet dhe një program, një strategji afatgjatë e gjithë opozitës, për të ndryshuar këtë lloj qeverisjeje, pra për t'i dhënë Shqipërisë një ndryshim të madh politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Starova, ish kryeministri Ilir Meta, pas kongresit të Partisë Socialiste e ka ashpërsuar luftën verbale kundër kryeministrit Nano dhe kabinetit qeveritar. A mund të pritet ndonjë bashkëpunim mes të ashtuquajturit krahu i Metës dhe opozitës së djathtë?

ARJAN STAROVA
Natyrisht kjo varet nga zoti Meta dhe pasuesit e tij, por lëvizja e udhëhequr nga sllogani "Nano Ik", është një lëvizje e hapur për tërë forcat opozitare kundër kësaj qeverisjeje të tanishme. Kështu që në rast se zoti Meta do të dëshironte, mesa di unë, vullneti i mirë është i të gjithë forcave opozitare që ta mirëpresin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Starova, jeni president i Shoqatës së Atllantikut. Ku e shihni Shqipërinë në integrimet Euro-Atllantike dhe si ndikon mozaiku aktual politik në dinamikën e këtyre integrimeve?

ARJAN STAROVA
Natyrisht që ka një debat sot aktualisht lidhur me raportin midis interesit që ka Shqipëria për t'u integruar në forumet Euro-Atllantike, pra në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe imazhit që krijohet lidhur me protestat që po ndodhin këto ditë dhe që do të ndodhin më pas në Shqipëri. Unë mendoj se imazhi natyrisht është i rëndësishëm, por imazhi nuk mund të jetë më i rëndësishëm, sesa janë problemet që kërkojnë zgjidhje brenda vendit. Më duket se shumë më e rëndësishme sesa imazhi, është çështja e ndarjes me të këqijat që e kanë brejtur këtë vend për shumë vite, siç janë ato që përmenda pak më parë: krimi, korrupsioni, mungesa e zhvillimit, korrupsioni në radhët e drejtësisë, lidhja e krimit me politikën, pengesat nëpërmjet monopoleve të ndryshme të hapjes së ekonomisë së lirë të tregut, fakti që në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira, pas kaq viteve ende nuk po bëjmë dot zgjedhje të lira. Vitet e fundit ju keni parë që asnjë raport ndërkombëtar nuk thotë që zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme, por thuhet të pranueshme, thuhet një hap përpara, por asnjëherë nuk thuhet ajo frazë e njohur që zgjedhjet janë të lira. Pra tërë këto probleme janë shumë të rëndësishme të zgjidhen. Natyrisht kur këto nuk zgjidhen nëpërmjet rrugëve të tjera, sepse në parlament nuk kanë asnjë lloj mundësie të zgjidhen dhe ka ngelur vetëm protesta e rrugës, atëhere kuptohet që mund të duket sikur prishet stabiliteti, por në fakt nuk është prishje e stabilitetit. Kjo është një prishje e momentit, e cila nuk prish asgjë, por rregullon shumë më tepër. Pra imazhi nuk është më i rëndësishëm sesa ç'janë problemet. Pastaj ne nuk mundet që për hir të një stabiliteti fars, një qetësie në dukje, të mund t'u vemë një kapak problemeve të tilla. Më duket se ky është misioni i çdo force opozitare dhe ky është thelbi i demokracisë: që kur një qeverisje dështon, atëhere hapet rruga për një qeverisje tjetër.

Intervistoi Vullnet Poshka

XS
SM
MD
LG