Ndërlidhjet

TEMË DIALOGU EDHE ÇËSHTJA E TË ZHDUKURVE


Albana Isufi, Prishtinë

Udhëheqësja e Komisionit Parlamentar për të Zhdukurit Flora Brovina, thotë se futja në agjendë e çështjes së të zhdukurve në takimin mes nëngrupeve punuese nga Kosova dhe Serbia, nuk është në harmoni me kërkesën e këtij komisioni.
Zonja Brovina thotë se niveli i përfaqësimit nuk është i duhur. Mungesa e qeverisë sipas zonjës Brovina, bën që të mos ketë asnjë garancë nga pala serbe se do të mund të implementohet ajo që eventualisht mund të arrihet në këto takime.
”Niveli në të cilin po organizohen bisedimet më Beogradin nuk është ajo çka kemi kërkuar ne si komision parlamentar. Tërë kohën ne kemi kërkuar që kjo të jetë kusht për bisedime, pra të zbardhet fati i atyre që janë rrëmbyer”.
Kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova, Nysrete Kumnova, thotë se dialogun nuk do ta pengojnë, por çështja e të zhdukurve është mjaft e ndjeshme dhe pa një presion ndërkombëtar, sipas saj, vështirë se mund të zgjidhet me këtë nivel takimesh.
”Kjo nuk është çështje që duhet të dialogohet. Kjo është çështje prioritare që duhet zgjidhur sa më parë’, tha Kumnova.
Mirëpo, shefi i grupit punues për të zhdukurit Jose Pablo Baraybar, thotë se është me rëndësi që kjo çështje të fillojë të diskutohet.
” Të gjitha çështjet duhet të fokusohen në fillimin e dialogut dhe pastaj të shkëmbehen një numër idesh të tjera. Është shumë e rëndësishme që të flitet për këtë temë, sepse kjo ka qenë një temë për të cilën nuk është biseduar deri tani, është luftuar, por jo biseduar. Por, është me rëndësi që në dialog ne të jemi zëri i viktimave. Grupi punues do të duhej të përfaqësonte viktimat dhe persona të tjerë nga shoqëria civile që kanë vuajtur. Edhe ana serbe do të duhej të bënte të njëtën gjë."
Nysrete Kumnova thotë se bisedimet mund të fillojnë, por kurrë nuk do të dihet rezultati i tyre.
“Bisedimet mund të fillojnë dhe nuk di se kur do të përfundojnë, sepse Serbia nuk njeh gjuhën e dialogut, por vetëm të presionit," tha zonja Kumnova.
Ndërkaq udhëheqësja e Komisionit parlamentar Flora Brovina, thotë se për të pasur sukses këto bisedime, grupi punues kosovar do të duhej të kishte përbërje tjetër dhe të përfshinte më shumë anëtarë nga shoqëria civile.
”Mendoj se grupin duhet ta udhëheqin njerëz kompetentë dhe jo UNMIK-u."
Brovina paralajmëron tërheqjen e saj nga ky grup.
”Nuk është aspak strategjike që kryetarja e komisionit parlamentar të jetë anëtare e këtij grupi. Atëherë kush do ta kritikojë këtë grup nëse ai nuk i udhëheq bisedimet si duhet”, tha Brovina.
Çështja e të zhdukurve dhe energjetika pritet të jenë pikat kryesore që do të diskutohen në takimin e parë në mes të grupeve punuese nga Kosova dhe nga Serbia. Megjithatë ende nuk është caktuar vendi dhe koha e mbajtjes së këtij takimi.


XS
SM
MD
LG