Ndërlidhjet

logo-print

BISEDIMET MUND TË MOS MBAHEN GJATË KËTIJ MUAJI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të mos mbahet gjatë këtij muaji siç është paralajmëruar më parë, për shkak se disa çështje ende kanë mbetur të padefinuara, siç është vendi, niveli, si dhe agjenda e takimit, u tha sot pas takimit që shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Harri Holkeri zhvilloi me liderët e partive politike të Kosovës.
Kol Berisha, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se plotësimi i standardeve është proces i përkrahur nga partitë kosovare si dhe bashkësia ndërkombëtare dhe se përmes tyre, Kosovës i hapet një perspektivë e re drejt definimit të statusit të saj. Mirëpo Berisha si dhe disa përfaqësues të tjerë kosovarë, e kontestuan Qëndrën Koordinuese të Serbisë si partner për bisedime me qeverinë e Kosovës, ndërsa parapëlqyen që vendi i bisedimeve të mos jetë Prishtina dhe as Beogradi.
"Personalisht kërkova që Qëndra Koordinuese nuk duhet të jetë palë në dialog. Natyrisht u bëhet kërkesë serbëve të Kosovës të koalicionit "Kthimi", që të jenë pjesë e grupit kosovar të bisedimeve dhe të përgatiten natyrisht për bisedimet e ardhshme", tha Kolë Berisha.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi tha se bisedimet me Beogradin duhet të jenë të niveleve të barabarta të përfaqësuara nga qeveritë e zgjedhura, kurse plotësimi i standardeve në përgjithësi tha ai, do t'i tejkalonte dhe shumë paqartësi rreth të ardhmes së Kosovës.
" Vlerësoj se jemi në rrugë të mbarë për realizimin e këtyre prioriteteve të domosdoshëm për të përshpejtuar zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, të realizohen në mënyrë të kënaqshme e solide në mënyrë që në vitin 2005 askush të mos thotë se të gjitha opsionet për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës janë të hapura, por të kemi vetëm një opsion dhe ai është respektimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës për pavarësi", tha Thaçi.
Ndërkohë në këto bisedime, edhe zyrtarisht u paralajmërua mundësia e pjesëmarrjes së koalicionit "Kthimi". Në takimin e sotëm me Holkerin ishin dhe përfaqësuesit e pakicës serbe, si dhe ato të pakicave të tjera. Dragisha Kërstoviç pohoi se takimi ishte tejet pozitiv për serbët e Kosovës dhe paralajmëroi se "Kthimi" do të marrë pjesë në dialogun Prishtinë-Beograd.
"Koalicioni "Kthimi" do të marrë pjesë në punën e grupeve punuese për dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit", tha Kërstoviç, për të shtuar se ai sot i kishte dorëzuar Holkerit dhe diplomatëve perëndimorë në Prishtinë, një dokument me vërejtje të serbëve rreth dokumentit Standardet për Kosovën.
Ndërkohë plotësimin e standardeve dhe zhvillimin e dialogut e ka përkrahur dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Rramush Haradinaj, por duke parashtruar dhe disa vërejtje që qeveria e Kosovës para se të hyjë në bisedime, duhet të plotësohet me ministritë përkatëse, në mënyrë që ajo të jetë palë e barabartë në këto bisedime.
" Nuk e kuptoj vetë personalisht zotin Holkeri, UNMIK-un, por dhe fjalët e vendosjes pse ka një ngecje në ndërtimin e institucioneve me kapacitet më të plotë. Një qeveri e plotë dhe e funksionueshme nuk do të thotë automatikisht menjëherë pavarësi dhe kjo nuk duhet të ndërlidhet me statusin final, por me një shoqëri të funksionueshme. Meqënëse standardet janë një projeksion i jonë, atëhere duhen dhe mekanizmat serioze, pra duhet kompletimi i qeverisë. E shpreha dhe njëherë se shumë gjëra do të varen pikërisht nga kjo", tha Haradinaj.
Sidoqoftë liderët kosovarë thanë pas këtij takimi, se të gjitha çështjet rreth bisedimeve ende mbeten të hapura dhe paralajmëruan se definimi i vendit, nivelit dhe agjendës së takimit të parë, do të bëhet gjatë kontakteve në vijim që shefi i UNMIK-ut do t'i ketë me përfaqësuesit vendorë.
XS
SM
MD
LG