Ndërlidhjet

B. REXHEPI:"QENDRA KOORDINUESE NUK ËSHTË PALË BASHKËBISEDUESE"


Bajram REXHEPI, kryeministër i Kosovës


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, bisedimet për çështjet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas paralajmërimeve të administratës ndërkombëtare, pritet të fillojnë brenda këtij muaji. Qeveria juaj ka shprehur gadishmërinë për të hyrë në këto bisedime, por a jeni të njoftuar se me kë saktësisht do të bisedoni, nëse merret parasysh amullia aktuale politike në Serbi?

BAJRAM REXHEPI
Po kështu ka qenë paralajmërimi. Sipas të gjitha gjasave përgatitjet bëhen që të fillojnë me 18 shkurt. Dy grupe punuese janë përgatitur dhe kanë patur edhe takime të përbashkëta me homologët e tyre në UNMIK, pra për personat e pa gjetur dhe për energjetikën. Është amulli në Serbi, është shumë e vërtetë dhe nuk di njeriu me kë ka për të biseduar. Megjithatë egzistojnë strukturat, nëse nuk egziston kryeministri dhe ministrat, egzistojnë ministritë, egziston administrata, stafi civil dhe ekspertët. Dhe edhe pse është një nguti që të fillohet, megjithatë duhet që partnerë në këto bisedime të jetë qeveria e Serbisë. Unë e kam bërë shumë të qartë se në asnjë mënyrë Qendra Koordinuese nuk mund të jetë palë bashkëbiseduese me delegacionin e përbashkët UNMIK- Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri më herët ka thënë se bisedimet do të mbahen në Prishtinë dhe Beograd. Nëse tani bisedimet mbahen në Prishtinë, a është e gatshme pala kosovare të marrë pjesë në bisedimet e ardhshme në Beograd?

BAJRAM REXHEPI
Ne fillimisht, jo tani por që para tre katër muajsh kemi kërkuar që bisedimet të vazhdojnë, ose pjesa teknike të fillojë në Vjenë ose në Shkup, që është plotësisht e arsyeshme deri në momentin kur qeveria e Serbisë t'i njohë dokumentat e UNMIK-ut dhe tabelat e regjistrimit. Mirëpo nuk ka patur një angazhim të mjaftueshëm të UNMIK-ut në këtë drejtim dhe kanë kërkuar vetëm përkrahjen që këto bisedime të mbahen në Prishtinë dhe Beograd. Sigurisht që kjo në fakt është një pengesë teknike për delegacionin kosovar, mirëpo ne kemi hyrë në obligime që standardet t'i marrim me seriozitetin më të madh dhe nuk do të jemi ajo palë e cila e bllokon këtë dialog, edhe pse ne nuk jemi shumë optimistë. Të shohim. Takimi i parë është planifikuar të mbahet në Prishtinë dhe në fazat e mëvonshme të shohim se si do të shkojë kjo punë.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet për çështjet teknike me Beogradin hyjnë në kuadër të 8 standardeve që institucionet e Kosovës duhet të përmbushin deri në mesin e vitit 2005. Por plani për zbatimin e tyre ende nuk është publikuar. Pse? A ka ndonjë arsye?

BAJRAM REXHEPI
Sigurisht që ky plan duhet të jetë më i detajuar. Grupet punuese kanë punuar mjaft. Një pengesë reale që ka ardhur deri tek shtyrja e tij është dhe mospjesëmarrja e komunitetit serb, mirëpo ka patur edhe disa vërejtje sugjerime, në mënyrë që të bëhet një plan më i detajuar, më i përpiktë. Sigurisht që ky plan pastaj duhet ta ketë përkrahjen edhe të Grupit të Kontaktit dhe të Këshillit të Sigurimit, në mënyrë që të fillojë implementimi praktik i tij. Presim që ditët e ardhshme, gjatë javës së ardhshme besoj se të gjitha këto do të harmonizohen dhe atëhere pritet vetëm një miratim formal, ose përkrahje që të fillojë implementimi i tij.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, në kuadër të standardeve hyn dhe ekonomia që në Kosovë është e lidhur ngushtë me privatizimin. Cilat janë të rejat e fundit në këtë drejtim?

BAJRAM REXHEPI
Kam biseduar me zotin Holkeri edhe për çështjen e privatizimit. Është e patolerueshme që kjo të mbetet e bllokuar më gjatë dhe duhet të gjendet zgjidhja. Argumentet që qeveria i ka paraqitur janë mjaft të fuqishme dhe janë të arsyeshme, prandaj duhet më në fund që zoti Holkeri ta shfrytëzojë autoritetin e tij dhe ta zhbllokojë këtë proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Ky vit është viti i zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Sa mund të ndikojë kjo e dhënë në procesin e përmbushjes së standardeve dhe a është përmbushur deri më tani ndonjë standard?

BAJRAM REXHEPI
Mendoj se implementimin e standardeve e kanë përkrahur edhe institucionet por edhe partitë politike. Shpresoj se partitë politike, ashtu si edhe janë zotuar, do ta përkrahin implementimin e standardeve dhe ndoshta pikërisht përparimin e standardeve, mund të jetë një pjesë e fushatës së tyre elektorale. Mirëpo sigurisht standardet më tepër realizohen në nivelin edhe të shoqërisë civile, edhe në nivelin komunal. Pjesa kryesore, përgatitja e planit për implementimin u takon niveleve më të larta ku janë të kyçura ministritë, zoti Holkeri dhe unë, ndërsa pjesa praktike kryhet më tepër nga pjesa administrative, shërbimi civil, shoqëria civile, komunat dhe çdo qytetar. Nuk mund të themi se ndonjë standard është plotësuar 100 %. Ka disa standarde ku është arritur një progres mjaft i madh, në disa të tjera ka ngecje dhe nuk mund të shkojnë të gjithë me një nivel të njëjtë. Disa do të plotësohen më shpejt, në një nivel të kënaqshëm, sepse askush nuk ka ambicje se do të plotësohen 100 %. Vetëm përshembull në kuadër të grupit punues për demokratizim, për shembull TMK-ja, përveç komunitetit serb që duhet të jetë më prezent, me një përqindje më të madhe, shumicën e indikatorëve të tjerë të këtij standardi i kanë plotësuar. Po ashtu dhe në demokratizim e disa lëmi të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se deri në mesin e vitit 2005 ose më herët Kosova mund të përmbushë standardet për të hapur rrugën e zgjidhjes së statusit përfundimtar?

BAJRAM REXHEPI
Po dhe njëherë them se standardet, duhet të arrihet një nivel i kënaqshëm i implementimit të këtyre standardeve. Nuk mund të pritet se ato do të plotësohen 100 % dhe askush nuk pret që të plotësohen 100 %. Mendoj se me një angazhim maksimal të faktorit vendor, por edhe të ndërkombëtarëve mund të arrihet një nivel i kënaqshëm dhe të fillojë definimi i statusit të Kosovës. Nëse kjo do të arrihet para mesit të vitit 2005 unë nuk jam tepër optimist për arsye se nuk është kjo kohë shumë e gjatë. Në momentin kur i kemi zgjedhjet sigurisht që aty do të ketë një vakum, një humbje kohe, një muaj ose dy muaj, deri në krijimin e qeverisë dhe të parlamentit të ardhshëm. Prandaj këto janë krejt normale, por me një angazhim maksimal mendoj se duhet të jemi optimistë realë.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë ju keni kërkuar nga komisioneri i policisë ndërkombëtare Shtefan Feler që t'ju njoftojë mbi disa akte të mundshme dhune që janë paralajmëruar nëpër media. Keni marrë ndonjë përgjigje?

BAJRAM REXHEPI
I dërgova para dy tre ditësh një shkresë të informohem dhe ai më informoi për situatën aktuale të sigurisë. Tregoi se ka indikacione të ndryshme ose fjalë të ndryshme që duhet të verifikohen. Nuk ka asgjë të verifikuar, mirëpo çdo indikacion për diçka të tillë e marrin me shqetësimin më të madh dhe do të hulumtojnë në mënyrë që të prevenojnë çfarëdo forme të dhunës kur ne na nevojitet stabiliteti maksimal. Ai u pajtua se me çështje të tilla shumë sensitive duhet të merren vetëm kompetentët - pra gjyqi, policia dhe kurrsesi përmes mediave të paraqiten në opinion, për arsye se ajo vetëm shkakton shqetësime dhe mund të krijojë hapësirë për spekullime.

Intervistoi: Zana Mezini
XS
SM
MD
LG