Ndërlidhjet

logo-print

MOORE:"PRISHTINA TË PËRMBUSH STANDARDET - BEOGRADI TË HEQË DORË NGA STRUKTURAT PARALELE"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Ditë më parë nënsekretari i Stejt Departamentit, zoti Mark Grossman, pos tjerash tha se "Kosovarët mund të jetësojnë standardet", ndërsa "Beogradi nuk ka veto". Cila ishte esenca e mesazhit të zotit Grosman?

PATRICK MOORE
Arsyeja pse ai e shkroi këtë artikull ishte që të parashtroheshin një sërë çështjesh në Ballkan, jo vetëm lidhur me Kosovën, por gjithashtu për Bosnjen, Maqedoninë etj, ku politika e NATO-s ka qenë e suksesshme vitet e fundit dhe përparimet që janë bërë. Kjo është arsyeja pse shkroi këtë artikull. Në të gjitha këto fusha për të cilat shkruante ai ishte realivisht optimist. Ajo që përpiqej të thoshte është që standardet janë të tilla që kosovarët mund t'i plotësojnë nëse duan, nuk janë standarde të pamundura me fjalë të tjera. Ai gjithashtu përmendi që Beogradi nuk do të lejohet të bllokojë progresin për zgjidhjen e statusit. Në këtë rast ajo që Grossman po përpiqet të bëjë këtu është që të paralajmërojë serbët e Beogradit të mos jenë shumë agresivë në qëndrimin e tyre në bisedime. Gjithashtu po u thotë serbëve në Kosovë që e ardhmja e tyre do të vendoset në Prishtinë dhe jo në Beograd dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ditë më parë tha se liderët shqiptarë të Kosovës duhet t'u qasen seriozisht standardeve, sepse në të kundërtën bashkësia ndërkombëtare nuk do të hezitoj të bëj vlerësim negativ dhe të shtyej çështjen e statusit final. Njëkohësisht nga Beogradi është kërkuar që të heqë dorë nga mbështetja për strukturat paralele? Si e shihni ju këtë zhvillim?

PATRICK MOORE
Ajo që Këshilli i Sigurimit duket se po bën në këtë çështje, është dhënia e një mesazhi të ashpër të dyja palëve. Praktikisht u thotë shqiptarëve të Kosovës që ideja e arritjes së standardeve, e pavarësisë nuk është 100 % e sigurt, afati i mesit të vitit 2005 nuk është 100 % i sigurt dhe se kosovarët duhet t'u kushtojnë vëmendje arritjes së standardeve. Ata gjithashtu po i japin paralajmërim Beogradit që të heqë dorë nga mbështetja e strukturave paralele të cilat kanë për qëllim dy gjëra: së pari minimi i autoritetit të qeverisë së Kosovës në Prishtinë, dhe së dyti përgatitja e terrenit për ndarje. Dhe mendoj se mesazhi është i qartë që as kjo nuk do të tolerohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Hari Holkeri në një artikull gazetaresk ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare të mos harrojë Kosovën, pavarësisht nga obligimet në Irak dhe në përgjithësi në Lindjen e Mesme.
A ekziston rrezik real që Kosova të harrohet?

PATRICK MOORE
Nuk mendoj se mund të themi " e harruar", por shpesh herë më krijohet ndjesia se disa kryeqytete evropiane përfshirë edhe vendin tim (SHBA) kanë tendencën të jenë aq shumë të shqetësuar me Irakun, Lindjen e Mesme, Afganistanin dhe Iranin, saqë prioritetet në Ballkan nuk po marrin masën e nevojshme të vëmendjes. Në këtë rajon ende nevojitet vëmendje e ndërkombëtarëve, edhe pse siç e përmendi dhe zoti Grossman në artikullin e tij, shumica e problemeve më të rënda janë zgjidhur. Mendoj se ka një rrezik real që Ballkani nuk do të marrë aq shumë vëmendje sa i takon, prandaj mendoj se është e rëndësishme që njerëzit që merren me mediat dhe me informimin e opinionit publik, duhet të sigurojnë që kjo të mos ndodhë, që Ballkani të jetë ende i fokusuar.

Intervistoi: Melazim KOCI


XS
SM
MD
LG