Ndërlidhjet

INSTITUCIONET E KOSOVËS KUNDËRSHTOJNË PËRFSHIRJEN E QËNDRËS KOORDINUESE NË BISEDIME


Albana Isufi, Prishtinë

Institucionet e Kosovës edhe më tej janë unike në qëndrimet e tyre që dialogu për çështjet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit të mos e zhvillojnë me ekspertë nga Qendra Koordinuese Serbe. Këtë gjë ata e kanë bërë të ditur edhe sot kur kryeadministratori Harri Holkeri është takuar në Prishtinë me shefin e Qendrës Koordinuese Serbe Nebojsha Çoviç.
Kryeministri Bajram Rexhepi tha se institucionet e Kosovës nuk mund t’i ndalojnë takimet e Holkerit me Çoviçin, por rezultatet nga këto takime nuk do t’i obligojnë për asgjë institucionet e Kosovës.
“Ai mund ta legjitimojë marrëveshjen Çoviç-Hakerup, por qeveria nuk është pjesë e asaj marrëveshjeje. E kemi bërë shumë të qartë dhe në asnjë mënyrë ne nuk do të pranojmë që bashkëbiseduesit në këto grupe për dialog të jenë nga Qendra Koordinuese”.
Por, nëse edhe më tej administrata ndërkombëtare insiston që në mungesë të qeverisë serbe, Qendra Koordinuese të jetë palë në bisedime, kryeministri Rexhepi thotë se dialogu mund edhe të pengohet.
“Dialogu mund të pengohet nëse Holkeri vendos që Qendrën Koordinuese ta bëjë bashkëbisedues. Ne kemi thënë shumë qartë jo vetëm tani, por edhe më parë se ne nuk jemi ata që e caktojnë ekipin e Serbisë, por formalisht bisedime nuk mund të ketë me Qendrën Koordinuese," tha kryeministri Rexhepi.
Ndërkohë, kryeparlamentari Nexhat Daci thotë se Kuvendi do ta mbështesë çdo vendim të qeverisë.
“Ne do të jemi komplementarë dhe atë çka e mendon qeveria, parlamenti do ta përkrahë”, tha Daci.
Nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha, thotë se për aq sa varet nga pala kosovare, LDK do të insistojë që të mos bisedohet me Qendrën Koordinuese Serbe.
“ Për të gjitha ato gjëra që varen nga ne, ne do ta mbajmë qëndrimin tonë. Por ka raste kur kjo nuk mund të bëhet se qëndrimet e Holkerit janë vendimtare. Ne nuk pajtohemi që të bisedojmë me Qendrën Koordinuese, do të shohim më vonë se çfarë do të bëhet,” thotë Berisha.
Ndërkohë, Hajredin Kuçi nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se institucionet e Kosovës e kanë tejkaluar vetveten sepse nuk kanë marrë legjitimitetin nga Kuvendi për të filluar bisedimet siç qe kërkuar më herët. Tani sipas Kuçit përgjegjësinë po e marrin individë të caktuar.
“Në anën tjetër kemi një tejkalim edhe nga administrata e UNMIK-ut dhe mendoj se në këtë rast kemi edhe çrregullim të bisedimeve dhe bisedimet mund të fillojnë, por efekti i tyre jam shumë skeptik se do të jetë pozitiv, por do të shfrytëzohet vetëm për konsum të brendshëm e më pak për ndonjë efekt praktik apo për zgjidhjen e problemeve," tha Hajredin Kuçi.
Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Bajram Kosumi, thotë se pavarësisht nga takimet e Holkerit me Çoviçin dhe marrëveshjet që mund të dalin nga këto takime, institucionet e Kosovës do të jenë ato që në fund do të vendosin për vazhdimin e dialogut.
“ Institucionet e Kosovës nuk mund të vihen kurrë para aktit të kryer. Mund të tentohet që të mënjanohen apo t’u imponohet dicka, por në fund të fundit institucionet do të vendosin edhe për dialogun edhe për procesin. Përndryshe nuk mund të imponojë askush dialog këtu, sepse ajo është në interes të Kosovës dhe do të ndodhë.”
Kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri ka pasur javën e kaluar një seri takimesh me përfaqësuesit kosovarë për të caktuar kohën dhe vendin e vazhdimit të dialogut në nivel ekspertësh mes Prishtinës dhe Beogradit. Megjithatë, përveç kërkesës së kosovarëve që Qendra Koordinuese Serbe të mos jetë palë në bisedime nuk është arritur të caktohet as vendi e as koha e vazhdimit të bisedimeve.


XS
SM
MD
LG