Ndërlidhjet

logo-print

ARRESTOHEN KATËR PJESËTARË TË TMK-SË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Policia ndërkombëtare dhe ushtarët e KFOR-it në Kosovë kanë arrestuar sot katër pjestarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Sipas njoftimeve nga policia ndërkombëtare, ata dyshohen se kanë kryer vepra të rënda penale dhe akuzohen për krime të luftës të kryera ndaj bashkëkombasve të tyre shqiptarë. Në mesin e të arrestuarve, sipas zëdhënëses së Policisë, Medlin Luks, është dhe një zyrtar i lartë i TMK-së, të cilit nuk i përmendet emri, por burime të tjera thonë se bëhet fjalë për komandantin e zonës së dytë të TMK-së, gjeneral brigade, Selim Krasniqin. Arrestimet janë kryer sot në rreth orës 9 të mëngjesit, në rajonin e Prizrenit dhe të Prishtinës, njofton policia:
“Të gjithë të arrestuarit janë të dyshuar për krime serioze, përfshirë edhe vrasjet, kurse viktimat e këtyre krimeve janë shqiptarët e Kosovës”, thotë zëdhënësja Luks. Në anën tjetër, Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së i ka reaguar ashpër kundër arrestimit të gjeneral brigade Selim Krasniqit dhe tre pjestarëve tjerë të këtyre trupave. “Edhe këto arrestime janë vazhdimësi e arrestimeve të mëparshme të luftëtarëve të UÇK-së dhe eprorëve të TMK-së dhe përbëjnë një goditje të re kundër UÇK-së dhe vlerave të luftës çlirimtare”, thuhet në reagimin e TMK-së. Duke vlerësuar se TMK mburret me gjeneralin Selim Krasniqi, në reagim thuhet po ashtu se Shtabi i Përgjithshëm i hedh poshtë akuzat se ata kanë kryera krime lufte ndaj civilëve dhe se këto akuza sipas TMK-së, janë përpjekje për balancimin e siç thuhet, luftës së drejtë të UÇK-së dhe krimeve të ushtrisë serbe të kryera në Kosovë. Zëdhënësi TMK-së, koloneli Shemsi Syla, thotë gjithashtu se TMK, dyshon dhe në saktësinë e informatave në bazë të së cilave janë kryer arrestimet e sotme:
“Arrestimi është mbështetur në bazë të disa deklaratave të personave të njohur si pjesëtarë në bashkëpunim me okupatorin serb gjatë periudhës së vitit 1998, qershor – korrik, të cilët në deklaratat e tyre thonë se janë të keqtrajtuar gjatë asaj periudhe”, tha koloneli Shemsi Syla.
Ndërkohë, shefi i administratës së UNMIK-ut, Harri Holkeri, përmes një kumtese me shkrim, thotë se ai personalisht i ka njoftuar presidentin, kryeministrin dhe liderët partiakë lidhur me këto arrestime. Në qëndrimet e tij, Holkeri pohon gjithashtu se këto arrestime, janë masa të shqiptuara ndaj individëve dhe jo ndaj TMK-së si organizatë, duke tërhequr vërejtjen se policia ka informata që personat e mbajtur sot akuzohen për krime të rënda.
Kjo është hera e tretë në periudhën e pasluftës, që autoritetet ndërkombëtare të sigurisë, arrestojnë persona të caktuar, kryesisht ish-pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen për krime lufte ndaj bashkëkombasve të tyre shqiptarë.


XS
SM
MD
LG