Ndërlidhjet

ARRESTOHEN KATËR PJESËTARË TË TMK-SË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Policia ndërkombëtare dhe ushtarët e KFOR-it në Kosovë kanë arrestuar sot katër pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Sipas njoftimeve nga policia ndërkombëtare, ata dyshohen se kanë kryer vepra të rënda penale dhe akuzohen për krime të luftës të kryera ndaj bashkëkombasve të tyre shqiptarë. Në mesin e të arrestuarve, sipas zëdhënëses së policisë, Medlin Luks, është dhe një zyrtar i lartë i TMK-së, të cilit nuk i përmendet emri, por burime të tjera thonë se bëhet fjalë për komandantin e zonës së dytë të TMK-së, gjeneral brigade, Selim Krasniqin. Arrestimet janë kryer sot në rreth orës 9 të mëngjesit, në rajonin e Prizrenit dhe të Prishtinës, njofton policia:
“Të gjithë të arrestuarit janë të dyshuar për krime serioze, përfshirë edhe vrasjet, kurse viktimat e këtyre krimeve janë shqiptarët e Kosovës”, thotë zëdhënësja Luks. Në anën tjetër, Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së i ka reaguar ashpër kundër arrestimit të gjeneral brigade Selim Krasniqit dhe tre pjesëtarëve të tjerë të këtyre trupave. “Edhe këto arrestime janë vazhdimësi e arrestimeve të mëparshme të luftëtarëve të UÇK-së dhe eprorëve të TMK-së dhe përbëjnë një goditje të re kundër UÇK-së dhe vlerave të luftës çlirimtare”, thuhet në reagimin e TMK-së. Duke vlerësuar se TMK mburret me gjeneralin Selim Krasniqi, në reagim thuhet po ashtu se Shtabi i Përgjithshëm i hedh poshtë akuzat se ata kanë kryer krime lufte ndaj civilëve dhe se këto akuza sipas TMK-së, janë përpjekje për balancimin e siç thuhet, luftës së drejtë të UÇK-së dhe krimeve të ushtrisë serbe të kryera në Kosovë. Zëdhënësi TMK-së, koloneli Shemsi Syla, thotë gjithashtu se TMK, dyshon dhe në saktësinë e informatave në bazë të së cilave janë kryer arrestimet e sotme:
“Arrestimi është mbështetur në bazë të disa deklaratave të personave të njohur si pjesëtarë në bashkëpunim me okupatorin serb gjatë periudhës së vitit 1998, qershor – korrik, të cilët në deklaratat e tyre thonë se janë të keqtrajtuar gjatë asaj periudhe”, tha koloneli Shemsi Syla.
Ndërkohë, shefi i administratës së UNMIK-ut, Harri Holkeri, përmes një kumtese me shkrim, thotë se ai personalisht i ka njoftuar presidentin, kryeministrin dhe liderët partiakë lidhur me këto arrestime. Në qëndrimet e tij, Holkeri pohon gjithashtu se këto arrestime, janë masa të shqiptuara ndaj individëve dhe jo ndaj TMK-së si organizatë, duke tërhequr vërejtjen se policia ka informata që personat e mbyllur sot akuzohen për krime të rënda.
Po rreth këtyre arrestimeve, përmes deklaratave me shkrim, kanë reaguar dhe presidenti dhe kryeministri i Kosovës. “Arrestimi i disa pjesëtarëve të TMK-së, të dyshuar se kanë kryer krime serioze, duhet parë si veprim të organeve për zbatim të ligjit ndaj individëve e kurrsesi damkosje të institucionit të rëndësishëm të Kosovës, Trupave të Mbrojtjes të Kosovës”, thuhet në deklaratën e presidentit Ibrahim Rugova. Si në çdo shoqëri dhe vend demokratik ku ka sundim të ligjit, të arrestuarit duhet të trajtohen në pajtim me procedurën adekuate ligjore për të dëshmuar fajësinë apo pafajësinë e tyre, përfundon deklarata e Rugovës.
Ndërsa kryeministri Bajram Rexhepi, në emër të Qeverisë insiston në trajtimin individual e të izoluar të këtyre rasteve pa implikuar TMK-në, si organizatë. Në këtë drejtim, Qeveria insiston në procedimin sa më të shpejtë të këtyre rasteve në mënyrë që të gjitha provat eventuale të ekzaminohen në procedurë të drejtë e të hapur gjyqësore. “Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe se e njëjta duhet të vlejë për të gjithë personat pavarësisht nga përkatësia etnike apo funksioni që mund të kenë”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Rexhepi, duke dhënë më pas mbështetjen e qeverisë për TMK-në si institucion.
Përndryshe, kjo është hera e tretë në periudhën e pasluftës, që autoritetet ndërkombëtare të sigurisë, arrestojnë persona të caktuar, kryesisht ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen për krime lufte ndaj bashkëkombasve të tyre shqiptarë.




XS
SM
MD
LG