Ndërlidhjet

MISHA GLENNY: ARMATOSJA E RADIKALËVE


International Herald Tribune

Pohimet e kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, Carla Del Ponte, se Beogradi është shndërruar në vend strehim për të akuzuarit e këtij Tribunali, madje edhe për Radovan Karaxhiçin, janë bërë në një periudhë delikate për politikën serbe, në kohën kur i ashtuquajturi blloku demokratik është duke bërë përpjekjet e fundit për të krijuar qeverinë, për ta shpëtuar këtë vend nga mbajtja e zgjedhjeve të reja. Zgjedhjet e reja në Serbi do të mund të sforconin edhe më shumë nacionalistët ekstremistë, më saktësisht radikalët, partia e të cilëve ka fituar më së shumti vende në parlament dhe e cila vazhdon të angazhohet për zgjerim territorial.
Një zyrtar i shërbimeve sekrete perëndimore më ka thënë se sa herë që forcat ndërkombëtare i janë afruar Radovan Karaxhiçit, i tërë operacioni është shkatërruar për shkak të deklaratave të Del Pontes që pamundësonin kapjen e të akuzuarit. Zonja Del Ponte vazhdimisht pohon se ajo nuk përzihet në politikë dhe se roli i saj është ekskluzivisht gjyqësor, por nëse ajo nuk e di se pohimet shpeshherë të paargumentuara kanë ndikim të jashtëzakonshëm politik, atëherë kjo quhet naivitet deri në pikën e papërgjegjësisë.
Pasiguria aktuale politike në Serbi mbretëron edhe në kohën kur Kombet e Bashkuara janë duke bërë përpjekje intenzive për të filluar bisedimet, me të cilat do të hapet rruga për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nëse atmosfera politike në Beograd errësohet apo nëse radikalët hyjnë në Qeveri, Kombet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare mund të përshëndeten me çfarëdo përparimi në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare aktualisht nuk ka aspak nevojë për një Serbi jostabile e të lënduar apo për një Kosovë të zemëruar, së cilës po i humb durimi për shkak të mungesës së përparimeve konkrete.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe edhe në të kaluarën kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi paraqitjet publike të zonjës Del Ponte, njëkohësisht Washingtoni dhe Londra janë dy qendrat që më me vendosmëri kanë kërkuar nga Serbia, Kroacia dhe vendet tjera të ish-Jugosllavisë që t’i dorëzojnë të akuzuarit për krime lufte. Ky shkrim nuk është ftesë për kryeprokuroren që të japë dorëheqje, por ftesë urgjente për të që të rishikojë stilin e saj të punës dhe ndikimin që një stil i tillë mund të ketë në Evropën Juglindore.



XS
SM
MD
LG