Ndërlidhjet

logo-print

INSTITUCIONET E KOSOVËS KUNDËRSHTOJNË RIAKTIVIZIMIN E GRUPIT TË LARTË PUNUES


Zijadin Gashi, Prishtinë

Riaktivizimi i Grupit të Lartë Punues, që doli si rezultat i takimit të djeshëm ndërmjet shefit të administratës së UNMIK-ut Harri Holkeri dhe kryetarit të Qendrës Koordinuese Serbe për Kosovën Nebojsha Çoviç, për përfaqësuesit kosovarë nuk është aspak i nevojshëm.
Në kohën kur dialogu i drejtpërdrejtë Prishtinë Beograd vetëm sa nuk ka filluar, zyrtarët vendorë thonë se nuk ka kurrfarë nevoje për këtë grup punues, në të cilin bëjnë pjesë vetëm strukturat më të larta të UNMIK-ut dhe ato të Beogradit. Në këtë aspekt, Ramush Tahiri, këshilltari politik i kryetarit të Kuvendit, thotë se ka kaluar koha kur për Kosovën është folur pa praninë e palës kosovare dhe se në këtë fazë, kur institucionet vendore sipas tij janë funksionale, nuk ka asnjë arsye që ky Grup i Lartë Punues, i formuar që në kohën e kryeadministratorit Hans Hakerup të funksionojë edhe më tutje:
"Grupi i Lartë Punues nuk mund të funksionojë edhe nuk do të funksionojë, për atë arsye se ato vendime ose konsultime që i bën, nuk do të jenë obligative për institucionet e Kosovës. Çështja qëndron se pasi janë zgjedhur institucionet e Kosovës, institucionet e Kosovës e përfaqësojnë vetveten", tha Ramush Tahiri.
Ndërkohë që për Ilir Dugollin, këshilltar i parë politik i kryeministrit të Kosovës, riaktivizimi i Grupit të Lartë Punues, në kohën kur po përgatiten bisedimet Prishtinë Beograd, e komplikon vetë procesin e dialogut.
"Konsiderojmë se nuk është aspak i domosdoshëm, përkundrazi e shohim atë si një farë lloj dublifikimi edhe komplikimi tejmase i proceseve të tanishme për fillimin e dialogut, ashtu siç janë të strukturuara në kontekstin e standardeve", tha Ilir Dugolli, për të shtuar se megjithatë është UNMIK-u ai, i cili do të vendosë se me kë do të bisedojë për çështje të caktuara kur është në pyetje Beogradi, duke patur parasysh se kjo administratë ka lidhur deri tani disa marrëveshje me Beogradin. Por sidoqoftë, thotë Dugolli, kryeministri dhe qeveria e Kosovës, nuk shohin ndonjë arsye që të gjitha çështjet e mundshme për bisedime me Beogradin, të mos hapen në kuadër të grupit për dialog, i cili pritet të takohet me palën beogradase dhe do të jetë me përbërje shumëetnike, ku do të bëjnë pjesë gjithashtu dhe pjesëtarë të UNMIK-ut.
" Nuk e shoh shumë të qëndrueshëm argumentin që për çfarëdo arsye, cilado çështje në suazat e standardeve nuk mund të hapet në kuadrin e grupeve punuese. Kështu që nëse në forume të tilla nuk mund të bisedohet për cilëndo çështje, nuk shoh se si do mund të bëhej kjo në korridore të tjera, në mënyra të tjera, qoftë ndonjë formë e Grupit të Lartë Punues apo formë tjetër", tha Dugolli.
Në anën tjetër Ramush Tahiri mendon se përmes Grupit të Lartë Punues mund të ketë tendenca për margjinalizimin e grupit për dialog, por sipas tij, qëllime të tilla për institucionet vendore, do të jenë të papranueshme.
" Në këtë bazë, nëse Çoviçi dëshiron të bëjë lojën për të ulur nivelin e përfaqësimit të institucioneve kosovare dhe të bëjë sikur grupet punuese që punojnë në kuadër të UNMIK-ut, e ka gabim, se ne kemi mbrapa vetes 2 vjet punë, tani do kemi edhe zgjedhjet e reja dhe këto institucionet tona, duke përfshirë dhe qeverinë, presidentin parlamentin, janë të pranuara ndërkombëtarisht", tha Tahiri.
Përndryshe Grupi i Lartë Punues, i formuar në bazë të një marrëveshjeje Hakerup-Çoviç, nuk është takuar për më tepër se një vit, pasi ish-kryeadministratori Mihal Shtajner, mbante rezerva ndaj tij. Ndërsa shefi i tanishëm i UNMIK-ut Harri Holkeri, ka konfirmuar se Grupi i Lartë Punues, megjithatë do të takohet gjatë muajit mars të këtij viti.



XS
SM
MD
LG