Ndërlidhjet

logo-print

NUK ARRIHET MARRËVESHJE PËR ZHBLLOKIMIN E PRIVATIZIMIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, shefi i UNMIK-ut Holkeri dhe shefi i shtyllës së katërt Nikolaus Lambsdorf, nuk kanë arritur ndonjë pajtueshmëri për të vazhduar procesin e privatizimit, as pas një takimi të mbajtur sot pasdite në selinë e UNMIK-ut. Sipas kryeministrit Rexhepi në takimin e sotëm janë bërë përpjekje të pasuksesshme për t’i gjetur një zgjidhje krizës aktuale lidhur me privatizimin:
"Mendoj se shumica e argumenteve janë dërguar në forma të ndryshme më parë. Sot nuk u mund të merrej ndonjë vendim."
Në takimin e sotëm ku merrnin pjesë edhe anëtarët e bordit të drejtorëve të AKM-së, zoti Holkeri ka kërkuar nga anëtarët vendorë të këtij bordi, që të heqin dorë nga mospjesëmarrja e tyre në mbledhjet e bordit. Anëtarët vendorë të bordit të AKM-së kanë vendosur në fund të muajit të kaluar që të mos marrin pjesë në mbledhjet e bordit, si të pakënaqur nga ndërprerja arbitrare e privatizimit dhe duke kërkuar shkarkimin e drejtoreshës menaxhuese Marie Fucci nga ky post.
"Holkeri kërkoi që anëtarët e qeverisë në bordin e drejtorëve të shprehin gadishmërinë që të vazhdojnë në bordin e drejtorëve, por ne kërkuam që pasi t’i shqyrtojë të gjitha argumentet, të propozojë zgjidhjen që do të jetë e pranueshme për qeverinë dhe në momentin që do të merret një qëndrim i tillë, ne do të vendosim nëse do të kthehemi në bord apo jo."
Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga ministrat Ali Jakupi dhe Ali Sadriu që të mos marrin pjesë në mbledhjet e bordit, derisa të plotësohen kërkesat e qeverisë, përfshirë edhe shkarkimin e zonjës Fucci, mirëpo UNMIK-u deri tani nuk ka treguar ndonjë shenjë se ka ndërmend të pranojë kërkesat e qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Rexhepi sot ka akuzuar udhëheqjen e AKM-së se po ndryshon politikat operative sipas kërkesave të Beogradit:
"Shihet qartë se cilat janë kërkesat e Çoviçit dhe politikat operative që kanë dalë tani në bord. Edhe këtë ia propozuam zotit Holkeri që të shihet," tha kryeministri Rexhepi, ndërkohë që shefi i shtyllës së katërt Nikolaus Lambsdorf, i cili nuk deshi të fliste për gazetarët gjatë javës së kaluar, ka qëndruar në Beograd ku ndër të tjera është takuar edhe me zotin Çoviç.
Ndërkohë, kërkesa kryesore e palës kosovare drejtuar AKM-së është që me rastin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, të mos merren parasysh ligjet e aplikueshme serbe, sidomos ligji mbi pronën dhe transformimin e saj.

XS
SM
MD
LG