Ndërlidhjet

logo-print

PROPOZIMI I IES LEGJITIMON NDARJEN NË BAZA ETNIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Propozimi i Iniciativës Evropiane për Stabilitet për bashkimin e pjesës veriore të Mitrovicës me komunën e Zveçanit është pritur me reagime negative, si nga përfaqësues të shqiptarëve, ashtu edhe nga përfaqësues të serbëve, pasi të gjithë e shohin këtë si uverturë të ndarjes përfundimtare etnike, jo vetëm të qytetit të Mitrovicës.
Këshilltari politik i kryeparlamentarin Nexhat Daci, zoti Ramush Tahiri thotë se edhe si iniciativë kjo është e padrejtë, e paqëndrueshme dhe sjell shumë pasoja negative, për Kosovën dhe për vetë banorët e Mitrovicës, pasi ndarja sipas vijave etnike vetëm sa i çimenton dhe i thellon dallimet:
"Kosova është një tërësi e pandashme, është një dhe për pjesët e territorit të saj nuk mund të vendosin banorët lokalë, se nuk vendosin në asnjë shtet të botës, dhe ky nuk është parim i përkufizimeve dhe ndarjeve, por gjithkund pranohet pushteti qendror, që në këtë rast është në Prishtinë dhe pas këtij integrimi mund të bëhen procese të administrimeve lokale apo të decentralizimeve, me të cilat banorët lokalë i realizojnë të drejtat e tyre qytetare, përfshirë edhe ato etnike".
Ndërkaq, Hajredin Kuçi, deputet në Kuvendin e Kosovës thotë se e mira e kësaj është se është kuptuar që Mitrovica nuk është problem i zgjidhur dhe se me këtë problem duhet të merren të gjithë:
"Ndarjet e tilla do të bënin ndarje të përkohshme dhe artificiale, por kurrsesi zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme. Në këtë drejtim mendoj se qeveria e Kosovës dhe Kuvendi në kohën kur diskutohet për strukturat paralele në Kosovë, gjithsesi duhet të diskutojnë për integrimin e tërësisë territoriale të Kosovës dhe mbi bazën e saj nuk ka nevojë për zhvendosje komunale, por për ushtrim të autoritetit në gjithë Kosovën,"tha zoti Kuçi sipas të cilit kjo do të ishte një lëvizje artificiale që çon drejt ndarjes.
Ndërkaq, kolegu i tij nga koalicioni i serbëve Kthimi, Oliver Ivanoviç, duke e vlerësuar këtë propozim tha:
"Madje edhe sikur të gjithë shqiptarët të ktheheshin në pjesën veriore të Mitroviocës, serbët do të përbënin 70 për qind të popullatës dhe do të kishin shumicën e sigurt dhe kjo ide do të vijë në rendin e ditës," tha Ivanoviç, edhe pse ai mendon se zgjidhja më e mirë do të ishte përmes decentralizimit, kur pjesa veriore do të fitonte statusin e komunës së veçantë nga pjesa jugore. Ai nuk e përkrah opcionin e bashkangjitjes së pjesës veriore të Mitrovicës me Zveçanin:
"Me këtë qyteti do të ndahej përfundimisht, ndërsa unë mbështes konceptin që do ta mbante njëfarë lidhjeje ndërmjet dy pjesëve të qytetit dhe ndërkohë që secili do të ishte i qetë në pjesën e vet dhe nuk do të ndihej i rrezikuar, tha Ivanoviç.
Zoti Ramush Tahiri ndërkaq mendon se një ndarje të tillë do të ishte uverturë për ndarjen e Kosovës:
"Kjo do të thotë pikërisht se Kosova duhet të ndahet në parime etnike, të cilat janë krijuar tash për tash dhe me procese të dhunshme dhe kjo do të thotë se Kosova në rend të parë, por dhe misioni ndërkombëtar në Kosovë ka dështuar, pasi nuk ka fituar koncepti qytetar, por ka fituar koncepti nacionalist i pamundësisë së bashkëjetesës ndërmjet popujve.
Ndërkaq, Hajredin Kuçi thotë se në Kosovë nuk kërkohen ndarje, por pikërisht e kundërta:
"Në rastin konkret mendoj se është një lëvizje që tenton të bëjë diçka, por problemi nuk është se një pjesë t’i bashkangjitet Zveçanit apo jo, mirëpo problemi ekziston me një pjesë të madhe që duhet t’i bashkangjitet ushtrimit të sovranitetit të Kosovës në gjithë territorin e saj, ndërsa zgjidhjet e tjera do të krijonin një gjendje faktike, e cila me siguri nuk do të shkonte kah integrimi i saj në Kosovë, por kah dezintegrimi nga Kosova dhe bashkimi kah Serbia siç janë edhe disa pjesë të tjera për momentin."
Sidoqoftë, propozimi i Iniciativës Evropiane për Stabilitet ka dalë në një konferencë për Mitrovicën në Angli, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, mirëpo qeveria deri më tash nuk ka reaguar, duke e parë këtë vetëm një propozim.






XS
SM
MD
LG