Ndërlidhjet

GJENERALI BECK: NUMRI I USHTARËVE AMERIKANË NË KOSOVË NUK DO TË NDRYSHOJË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Numri i ushtarëve amerikanë në Kosovës do të mbetet i pandryshuar, ashtu siç ka mbetur i pandryshuar edhe përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, ka thënë sot në kampin Bondsteel, komandanti i forcave amerikane të KFOR-it, gjenerali Jerry Beck. Këto komente komandanti i forcës paqëruajtëse amerikane, i ka bërë në konferencën e fundit për shtyp para largimit të tij nga Kosova, me ç’rast shoqërohej nga pasardhësi i tij, gjenerali Rick Erlandson. Gjenerali Jerry Beck tha se gjatë kësaj kohe në sektorin lindor të komanduar nga forcat amerikane është arritur mjaft përparim në shumë fusha, sidomos në kthimin e të zhvendosurve dhe në sigurimin e lëvizes së lirë për të gjithë qytetarët.
Kjo është pjesë e misionit tonë që ka mbetur i pandryshuar, ashtu siç nuk do të ndryshojë as madhësia dhe efikasiteti i kësaj force, ka thënë gjenerali Beck:
"Numri i ushtarëve do të mbetet pothuajse i njëjti dhe janë vetëm pak ndryshime prej një apo dy për qind. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj popullit të Kosovës, ndërsa madhësia e forcës sonë do t’i përshtatet misionit këtu," tha gjenerali Jerry Beck, sipas të cilit vendimi për madhësinë e forcës amerikane në Kosovës është çështje e një procesi shumë mirë të menduar dhe të analizuar.
Për të vërtetuar fjalët e gjeneralit Beck, gjenerali Rick Erlandson, i cili do ta marrë komandën mbi forcat amerikane dhe mbi sektorin lindor të KFOR-it më 25 shkurt, tha:
"Ndërsa bëjmë bartjen e komandës më 25 shkurt, forca e ardhshme që do të na zëvendësojë në gusht është divizioni 38 dhe është njoftuar se edhe ata po aftësohen me numër të njëjtë ushtarësh," tha gjenerali Rick Erlandson.
Sidoqoftë, gjenerali Beck është shprehur i kënaqur nga misioni që ka kryer në Kosovë dhe ka thënë se përmbushja e standardeve është një domosdoshmëri, ndërkohë që një shenjë e mirë për këtë janë edhe bisedimet që priten ndërmjet të dyja palëve:
"E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja dhe për të qenë të suksesshëm duhet të mbani mend dy gjëra, sundimin e ligjin dhe tolerancën ndaj të tjerëve," tha gjenerali Beck, sipas të cilit misioni i KFOR-it ka qenë edhe është krijimi i një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë në BSHK të Lindjes dhe transferimi i përgjegjësive tek institucionet civile. Sot mund t’ju them se ne kemi bërë progres në këtë fushë, tha gjenerali Jerry Beck.
Ndëkaq, pasardhësi i tij, Rick Erlandson tha se mezi priste të merrte përsipër këtë mision nga gjenerali Beck:
"Ne kemi dëgjuar rrëfime për bashkëpunimin dhe miqësinë ndërmjet njerëzve të Kosovës dhe ushtarëve tanë këtu dhe mezi presim të jemi pjesë e kësaj atmosfere pozitive, për të punuar bashkë me popullin dhe me institucionet lokale dhe UNMIK-un," tha gjenerali Rick Erlandson.
Në Kosovë aktualisht janë rreth 4000 ushtarë amerikanë, të cilët janë vendosur në sektorin lindor të KFOR-it. Kampi Bondsteel ku është vendosur komanda amerikane e KFOR-it është kampi më i madh ushtarak në Kosovë.

XS
SM
MD
LG