Ndërlidhjet

R: GILLETTE: TË HARTOHEN LIGJET QË TË BARTEN PËRGJEGJËSITË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Për t’i marrë përgjegjësitë mbi vete, institucionet e Kosovës duhet që të krijojnë bazë ligjore, duke miratuar sa më shumë ligje. Kjo ishte porosia që sot komisioneri i përkohshëm për media, Robert Gillette, ua transmetoi përfaqësuesve kosovarë. Përndryshe, Komisioni i përkohshëm për media, rregullohet përmes kapitullit të pestë të Kornizës Kushtetuese, ku bëjnë pjesë fushat e përgjegjësive të cilat administrata ndërkombëtare i ka bartur tek vendorët, mirëpo për shkak të mungesës së ligjeve përkatëse, ushtrimi i kompetencave ka mbetur ende tek ndërkombëtarët. Pas një takimi që sot, Gillette zhvilloi me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacin, ai i bëri thirrje legjislativit kosovar t’i miratojë ligjet e nevojshme, më mënyrë që ai të bartë ushtrimin e përgjegjësive tek institucionet vendore:
“Ne na duhet ligji që të krijojmë Komisionin e Mediave dhe po ashtu është i nevojshëm dhe një ligj që do të rregullonte themelimin e mediave publike, siç është RTK-ja”, tha Gillette. Në këtë mënyrë, theksoi ai, kanë vepruar gati të gjitha vendet evropiane. Mirëpo, problemi sipas tij, është se disa përfaqësues vendorë, mendojnë që ligjet të cilat do të rregullonin çështjen e mediave duhet të nxirren pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen gjatë vjeshtës. Por, duke e pasur parasysh se kjo fushë bën pjesë në përgjegjësitë që u takojnë vendorëve, Gillette, mendon që ligjet nuk kanë nevojë t’i presin zgjedhjet e ardhshme:
“Ne nuk do ta detyrojmë askënd, sepse kjo i takon lidershipit kosovarë të vendosë, por ne jemi të gatshëm që t’i bartim përgjegjësitë rreth Komisionit të Përkohshëm, atëherë kur legjislacioni të jetë i gatshëm”, tha Gillette, për të shtuar se krejt çka ka mbetur të bëhet, është që vendorët ta hapin derën dhe t’i marrin përgjegjësitë që u takojnë.
Përndryshe, nga 44 fushat e përgjegjësive, të kapitullit të pestë, të cilat UNMIK-u i ka bartur tek vendorët, 12 fusha kanë mbetur të pabartura, kryesisht për shkak të mungesës së ligjeve të miratuara nga ana e institucioneve vendore.




XS
SM
MD
LG