Ndërlidhjet

F. MINI:"IKJA NGA BALLKANI"


FABIO MINI, ish komandant i KFOR-it



Jeta e ushtarakut të karrierës, i mundësoi gjeneral-kolonelit Fabio Mini të komandojë me gjithçka. Përvojën 3 vjeçare në Kinë, 2 vitet në Shtetet e Bashkuara dhe mandatin e KFOR-it, i konsideron shumë të rëndësishme. Për Ballkanin thotë se është një rajon, ku me shekuj të tërë, asgjë nuk arrihet pa urdhëra. Sipas tij, për këtë rajon kompleks, bashkësia ndërkombëtare ka gjetur zgjidhje stereotipe, që teoretikisht janë të mira, por në praktikë të pazbatueshme.
"Atë që e konsideroj të rëndësishme është mungesa e vizionit global për problemet e Ballkanit. Ballkani shihet i lokalizuar. Mungesa e vizionit global e pamundësoi përcaktimin e vizionit rajonal, prandaj vendet e rajonit janë të përjashtuara nga vendimet dhe përgjegjësitë", thotë gjenerali Mini.
Ai thotë se vështirësia kryesore në konceptin e bashkësisë ndërkombëtare është se ajo dëshiron të imponojë stabilitetin përmes homogjenizimit.
"Bosnja është fryt i alkimisë, i kompromisit politik dhe strategjik, që duhej të japë rezultate të caktuara. Marrëveshja e Dejtonit kishte rol të madh në ndërprerjen e luftës dhe tragjedisë së madhe.Por, sa i përket rindërtimit institucional, nuk u realizuan rezultatet e pritura. Mendoj se në rastin e Bosnjë Hercegovinës, kuadri i sigurisë duhet të rishqyrtohet", thotë Fabio Mini.
Në pyetjen nëse intervenimi amerikan në Irak dhe lufta kundër terrorizmit, i kanë mjegulluar mosmarrëveshjet transatlantike rreth Ballkanit, ai pohon.
"Përkundrazi. Ngjarjet e viteve të fundit këtë e provuan. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duan t'i zvoglojnë obligimet në kuptimin e pranisë ushtarake, ndërsa Evropa ende heziton ta marrë krejtësisht përgjegjësinë për Ballkanin dhe bashkëpunimin në rajon. Artikullin tim të fundit, vazhdon gjenerali italian, e titullova 'Ikja nga Ballkani', sepse druaj që vendet evropiane, aleatët e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara, zgjidhje të vetme e shohin zvoglimin e obligimeve, duke lejuar kështu që Ballkani të kthehet në gjendjen e pasigurisë dhe jostabilitetit".
Lidhur me tërheqjen e Rusisë nga Ballkani, gjeneral Mini thotë se këtu sheh politikë pragmatike.
"Në këtë hap shoh një zgjidhje strategjike që paraqet risi. Jo se aq shumë e çmoj faktin që rusët e tërhoqën kontingjentin nga Kosova, i cili rregullisht i kryente detyrat, por faktin që Moska bëri një hap të ri pas 4 vjetësh angazhimi në Kosovë dhe 9 vjet në Bosnjë e Hercegovinë. Kemi nevojë për hapa të rinj. Duhet të ndryshojmë dhe të zhvillohemi. Këtë nga ne e presin edhe vendet ballkanike", thotë Fabio Mini.
Për zhvillimet e fundit në Serbi, ai thotë se vala e nacionalizmit atje është problem i madh.
"Një nga pasojat është se ideja e nacionalizmit dhe e ndarjeve politike, mund të ngadhnjejë edhe në pjesë tjera të Ballkanit. Kjo është e rrezikshme. Rreziku nga vala e nacionalizmit, e cila nxjerr në sipërfaqe njerëz si Sllobodan Millosheviqi, paraqet kthim prapa. Mendoj se kjo nuk do t'u ndihmojë zgjidhjes së problemeve në Ballkan", përfundon gjenerali Fabio Mini.

XS
SM
MD
LG