Ndërlidhjet

logo-print

CHAPPELL:"ENDE NUK DIHEN MOTIVET E VRASJES SË DY SERBËVE"


D. CHAPPELL, zëdhënës i policisë ndërkombëtare

Policia e UNMIK-ut i ka quajtur qesharake dhe absurde deklaratat e fundit të disa përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe të shefit të qendrës koordinuese të Serbisë, Nebojsha Çoviq, të cilët, me rastin e vrasjes së një mashkulli dhe të një femre të përkatësisë serbe, kanë akuzuar UNMIK-un se po toleron krimin kundër serbëve në Kosovë. Zëdhënësi i policisë ndërkombëtare Derek Chappell i cili ndodhej në vendin e ngjarjes ku po kryheshin hetimet për këtë rast ka hedhur poshtë akuzat e këtilla:
"Përpjekja për të thënë se policia është në njëfarë mënyre përgjegjëse për këto vrasje, është krejtësisht absurde, pasi nuk ka asnjë shoqëri në botë të zhveshur krejtësisht nga krimet", tha zëdhënësi Chappell.
Ai ka thënë se aktualisht nuk ka ndonjë dëshmi për motivin e mundshëm të kësaj vrasjeje të dyfishtë, ndërkohë që përfaqësues të serbëve të Kosovës e kanë cilësuar këtë një krim me motive etnike duke fajësuar për këtë shqiptarët:
"Tashmë kemi parë shumë spekulime në një pjesë të mediave se ky është një krim me motive etnike, mirëpo nuk ka asnjë dëshmi për këtë. Aktualisht kemi një pistë hetimesh, mirëpo ajo nuk është e vetmja", tha Chappell, për të shtuar se policia në asnjë mënyrë nuk dëshiron të thotë nëse kjo vrasje ishte krim etnik apo jo.
Zëdhënësi Chappell tha se policia nuk mund të fajësohet për krimet që ndodhin:
"Mendoj se këto deklarata janë absolutisht qesharake dhe ju vetëm duhet të shikoni sukseset e policisë gjatë këtër vjetësh e gjysmë për zgjidhjen e të gjitha llojeve të krimit dhe do të shihni se kemi bërë përpjekje shumë profesionale dhe serioze për të krijuar një sistem policie të klasit të parë në Kosovë, tha zoti Chappel, sipas të cilit është e vërtetë se disa krime nuk kanë arritur të zgjidhen dhe disa njerëz përpiqen t’i cilësojnë ato si krime etnike apo politike, mirëpo ne nuk bëjmë vlerësime pa hetimin e plotë të krimit për të ndriçuar se cilat janë motivet:
"Është fatkeqësi se si njerëzit përpiqen t’i politizojnë krimet. Krime ndodhin për shumë arsye, nganjëherë ato janë politike nganjëherë etnike, e herë të tjera krimi ndodh thejsht për shkak të grindjeve mes njerëzve, për shkak të marrëdhënieve personale, parave apo të tjera", tha Chappell, sipas të cilit për këtë arsye jo vetëm që nuk duhet akuzuar policia, por as duhen nxjerrë konkluzione për motivet, pa kryerjen e hetimeve dhe pa pasur dëshmi për këtë.

Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG