Ndërlidhjet

logo-print

DALE: "NUK KA KONSESNSUS PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS"


Intervistë me Halle Dale, eksperte pranë Fondacionit Heritage

RADIO EVROPA E LIRË
Do të dëshiroja të fillojë me pyetjen lidhur me bisedimet e ardhshme teknike ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Lidhur me këto bisedime, liderët shqiptarë të Kosovës po e kundërshtojnë pjesëmarrjen e zyrës së zotit Çoviq duke thënë se ai po i përkrah strukturat paralele serbe në Kosovë. Si e vlerësoni ju këtë situatë?

HALLE DALE
Është pak vështirë për të vlerësuar nga distanca, nga Uashingtoni, ku aktualisht ndodhem. Mendoj se, nga kjo perspektivë, mbajtja e bisedimeve në përgjithësi është gjë e mirë. Por, ishte krejtësisht e qartë, se Serbia, aktualisht, nuk ka synim që të pranojë kompromis lidhur me Kosovën. Pra, është vështirë të shihet se si do të lëvizin gjërat përpara nga atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e dimë të gjithë, këto bisedime teknike janë në mesin e standardeve, që duhen të arrihen nga institucionet e Kosovës, para se të hapet diskutimi për statusin final të Kosovës. Në këtë aspekt, a mendoni se nga mesi i vitit 2005, bashkësia ndërkombëtare dhe të tjerët do të jenë të gatshëm për të diskutuar për këtë çështje?

HALLE DALE
Mendoj se, me gjasë, do të ishte gjë e mirë nëse kjo do të ndodhë. Unë nuk jam e sigurtë. Ndoshta ka mundësi. Mendoj se askush nuk duhet t'i nënçmojë vështirësitë me të cilat po ballafaqohemi në zgjidhjen e situatës së Kosovës. Në Uashington, të themi gjatë dy viteve të fundit, nuk ka pasur aq shumë vullnet politik lidhur me kujdesin për këtë problem. Mendoj se në Kongresin e Shteteve të Bashkuara ka ngurrim që për këtë çështje të bëhet presion më i madh. Por, mendoj se mesi i vitit 2005 do të jetë një kornizë kohore e përafërt.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë po ju pyes për arsye se kjo datë ishte përcaktuar nga zyrtari i lartë amerikan, Marc Grossman?

HALLE DALE
Kur ju e shikoni Ballkanin për shumë vite, ju nuk mund të jeni shumë optimist. Unë sigurisht do të isha e entuziazmuar sikur të shihja se gjërat po lëvizin përpara. Po e përsëris: askush nuk duhet t'i nënçmojë vështirësitë që i kemi – edhe brenda kornizës kohore prej një viti e gjysmë në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, cilat janë vështirësitë për të cilat po flisni?

HALLE DALE
Mendoj se po flas për dallimet në vizione ndërmjet kosovarëve - serbëve e shqiptarëve - dhe Bashkësisë ndërkombëtare. Ende nuk ka konsensus në kuptimin e kompromisit për të ardhmen e Kosovës. Kjo në aspektin se a do ta pranojë eventualisht Serbia një Kosovë të pavarur. Ose, a do të jetë një lidhje e butë me Serbinë apo një lidhje e butë me Shqipërinë? Mendoj se pozita në rajon është tejet e paqartë dhe nuk është lehtë të shihet se çfarë kompromisi do të gjendet dhe se a do të ketë mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare për një Kosovë të pavarur që, në këtë pikë unë kam dyshime.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë pikë, sipas jush, a mund të thoni se kush do të vendos për statusin e ardhshëm final të Kosovës?

HALLE DALE
Duket se kjo do të jetë detyrë e popullit të Kosovës. Por, kam frikë se nuk do të jetë aq thjeshtë. Atij i duhet përkushtimi i bashkësisë ndërkombëtare, i SHBA-ve, i BE-së dhe i OKB-së për të garantuar pavarësinë e saj. Në këtë pikë, unë realisht nuk mendoj se ka gatishmëri për të ecur në këtë rrugë. Mendoj se sigurisht edhe në Uashington nuk ka një gatishmëri të këtillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditësh International Herald Tribune ka shkruar se "një gjë që në këtë moment nuk i duhet askujt është një Serbi e lënduar dhe jostabile dhe një Kosovë e hidhëruar dhe e padurim".

HALLE DALE
Qartasi, serbët janë të hidhëruar dhe të zhgënjyer dhe duket se do të kenë një qeveri nën zotin Koshtunica, që do të kishte mbështetjen e socialistëve të partisë së Millosheviqit. E tërë kjo duket e çuditshme që ish armiqtë politikë të bashkohen. Kjo ndoshta pasqyron vetëm nivelin e zemërimit që aktualisht po mbizotëron në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Dua t'ju pyes tash lidhur me praninë ndërkombëtare politike dhe ushtarake në Kosovë, e veçanërisht për Shtetet e Bashkuara, sepse në këtë moment duket se Amerika është shumë e angazhuar në çështje të tjera?

HALLE DALE
Kjo është shumë e vërtetë dhe sigurisht se ka pasur arsye për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, sepse ato duhen tjetërkund në botë. Trupat amerikane, për një kohë të gjatë, kanë ushtruar atje për paqeruajtje dhe tash janë shumë të nevojshme në Irak dhe në Afganistan. E dini se Shtetet e Bashkuara kanë shumë angazhime në këtë periudhë dhe mendoj se në përgjithësi do të ishte më mirë që Bashkimi Evropian të merret me çështjen e Kosovës. E di se me gjasë kjo nuk është një perspektivë që populli në Kosovë do ta mirëpresë, por këtu në Uashington këto mendime janë realitet për një kohë të gjatë, pasi përkushtimet e Shteteve të Bashkuara në mbarë botën janë në rritje.

Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG