Ndërlidhjet

logo-print

BETEJA PËR SHTETIN LIGJOR - GUR SIZIFI PËR POLITIKËN SHQIPTARE


Lutfi Dervishi

Opozita në Shqipëri realizoi të djelën në Tiranë mitingun më të madh të protestës ndaj qeverisë me moton: "Nano ik!" Por duke analizuar deklaratat e kryetarit të Partisë Demokratike z. Sali Berisha duket se largimi i kryeministrit nuk është qëllim në vetvete. Nëse gjykon në precedentët e largimit të Nanos, këtë radhë duket se ai ka më pak arsye për t'u larguar se kurrë. Ka dalë shumë i fuqishëm nga kongresi i fundit i Partisë Socialiste, ka arritur të dobësojë në maksimum opozitën kryesore brenda partisë së tij të kryesuar nga ish kryeministri Meta, ka fituar zgjedhjet e diskutuara lokale, ka një përkrahje ndërkombëtare që vetëm mund ta ketë ëndërruar më parë
për shkak të rolit të Shqipërisë në rajon dhe pozicionit që ka marrë në luftën antiterror. Brenda një viti, Shqipëria duhet të zhvillojë zgjedhjet e rregullta parlamentare. Edhe zgjedhjet e fundit kanë
nxjerrë në pah problemet me infrastrukturën e zgjedhjeve. Nëse do të bëhet një ndreqje serioze nuk mbetet shumë kohë. Është problemi
i kodit zgjedhor, listave të zgjedhësve, kartës së regjistruesve, reformës administrative. Z. Nano mund të largohet me zgjedhje. Atëherë pse nxiton opozita?! Partia Demokratike nga ana e vet e ka moderuar qëndrimin fillestar. Ajo thotë se nuk është problemi
thjesht dhe vetëm tek Nano, por te sigurimi i një mekanizmi që do të sigurojë zgjedhjet e lira në Shqipëri. Motoja e shpallur nga kryetari i PD-së dhe ish presidenti i vendit Sali Berisha është ndërtimi i
shtetit ligjor. Të gjithë partitë politike në vend e kanë në program ndërtimin e shtetit ligjor. Nuk janë të paktë ata që mbështesin z. Berisha në cilësimin kleptokrat që i bën qeverisë aktuale. Por rruga për tek shteti ligjor kalon nga zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Shqipëria ka dështuar që prej 1992 në realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për pasojë vendi nuk ka fituar asnjëherë stabilitetin e dëshiruar.
Tashmë me konsensusin e partive kryesore në vend, infrastruktura zgjedhore është ndërtuar në bazën e ballancimit politik. Edhe kjo metodë nuk u provua si shumë e efektshme në zgjedhjet e fundit lokale. Për shkak të historisë jo të këndshme të humbjes së disa bastioneve të saj, opozita, por jo vetëm ajo, ka humbur besimin tek vota e lirë. Në një takim që pati në qytetin e Vlorës ditët e fundit, lideri i PD-së Berisha, një demokrate i kujton se vendi duhet të dalë
nga qerthulli ku “paraja prodhon pushtet dhe pushteti prodhon para”.
Fenomeni i shitblerjes së votës dhe presioni shtetëror duhet të marrin fund, përndryshe do të vijojë të përsëritet e njëjta histori. Vendi ka mbërritur në një pikë të tillë ku më tepër se një rotacion i tipit Berisha- Nano- Berisha, kërkohet një ndryshim rrënjësor
në mënyrën se si menaxhohet dhe shpërndahen të ardhurat publike. Deri më tani më shumë se sa votës së lirë, partitë i kanë besuar muskujve të militantëve, manipulimeve dhe artificeve ligjore.
Por në të vërtetë, ndryshimi që pritet dhe kërkohet mund të realizohet brenda aktorëve aktualë të politikës vetëm nëse bëhet një pakt për zgjedhjet.Në këtë kontekst pyetja se çfarë do të ndodhë pas
protestave të opozitës është pazgjidhshmërisht e lidhur me procesin e ardhshëm elektoral. Partisë Demokratike dhe opozitës i duhet të mbajë ura komunikimi në Parlament me pozitën pasi me çfarëdolloj qeverie që të ketë vendi deri në zgjedhjet e ardhshme,do të duhet që zgjedhjet të jenë të besueshme jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për Partinë Socialiste. Beteja për ndërtimin e shtetit ligjor që fillon tek realizmi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, thembra e Akilit e demokracisë shqiptare, ngjan si guri i Sizifit për politikën shqiptare.
XS
SM
MD
LG