Ndërlidhjet

5 DERI 7 MIJË KOSOVARË TË VARUR NGA SUBSTANCAT NARKOTIKE


Bekim Bislimi

Ekzistojnë indikatorë të cilët tregojnë qartë se gjatë tre vjetëve të fundit, abuzimi i substancave narkotike është duke u bërë problem real në Kosovë, thotë Luigj Ndou magjistër i psikoterapisë në Qendrën Mediko-psikoterapike “Labirint” në Prishtinë, në të cilën trajtohen personat që abuzojnë substanca narkotike apo janë të varur nga to. Sipas zotit Ndou, hulumtimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF-it, gjatë vitit 2001 kanë rezultuar se 4 % të nxënësve në shkollat e mesme të Kosovës abuzojnë me narkotikë të lehtë apo marihuanë, ndërkaq 1 % me substanca narkotike të forta. Po ashtu, gjatë vitit 2001, në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë kanë kërkuar ndihmë 213 persona të cilët kanë qenë të varur nga narkotikët e fortë, ndërkaq që nga mesi i vitit 2002 e deri më tani, në Qendrën “Labirint” ndihmë kanë kërkuar 286 persona. Zoti Ndou thotë:
“Nëse këto shifra elaborohen pak më gjerë dhe merret parasysh e ashtuquajtura ‘popullata e fshehtë’ e abuzuesve, atëhere sipas këtyre indikatorëve del rrjedhimisht një shifër, e cila në mënyrë të përafërt kap numrin prej 5 mijë deri në 7 mijë persona në tërë Kosovën, të cilët mund të jenë të varur nga substancat, mirëpo ne ende nuk kemi një studim epidemiologjik, i cili në mënyrë kompetente dhe të saktë do të kishte treguar se sa individë vuajnë nga sëmundjet e vartësisë të ashtuquajtur”.
Përderisa në Klinikën psikiatrike në Prishtinë ofrohen shërbimet ambulatore për pacientët që keqpërdorin substancat narkotike, çka nënkupton, qëndrimim jo më shumë se 1 javë në këtë klinikë, e vetmja alternativë për trajtimimin e këtyre personave në Kosovë, është Qendra mediko-psikoterapike “Labirint”, e cila është qendër private. Patologu, Safet Blakaj, administrator i kësaj qendre thotë:
“Trajtimi jonë zgjat 9 muaj deri në 1 vit dhe gjatë gjithë kohës është e përcjellur situata dhe bashkëpunimi i ngushtë me familjen. Përndryshe, asnjëri nga klientët tonë nuk pranohet pa një anëtar të familjes”.
Ndërkaq, psikoterapeuti Ndou thekson:
“Qasja është polivalente dhe multidisiplinare, që do të thotë se, ekspertë të lëmive të ndryshme janë të kyçur në proces. Njëkohësisht ne bëjmë edhe trajtimin me terapi substitutive dhe terapi mbajtëse, do me thënë në disa forma të trajtimit. Natyrisht, kemi edhe psikoterapi qoftë familjare apo individuale. Sëmundjet e vartësisë nuk kanë të bëjnë vetëm me individin, por në pjesën dërmuese të rasteve kemi të bëjmë me çrregullime ku duhet restruktuar tërë familja”.
Sipas zotit Ndou, gjatë vitit të fundit është vërejtur një tendencë interesante lidhur me moshën e personave të cilët keqpërdorin substancat narkotike.
“Klienti më i ri, i cili ka kërkuar ndihmë nga qendra jonë, ka pasur jo më shumë se 13 vjet, mirëpo kryesisht është një grupmoshë nga 18 deri në 35 vjet.
Ndonëse Qendra “Labirint”, ka kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin e institucionet qeveritare, të cilat merren me problemin e narkomanisë, kjo ndihmë deri tani ka munguar. Të vetmen ndihmë, në formë donacioni, e ka ofruar Zyra Amerikane në Prishtinë, për realizimin e projektit për parandalimin e keqpërdorimit të substancave narkotike. Zoti Blakaj thotë:
“Kemi kërkuar dhe kemi insistuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Tani së fundi, jemi në negociata me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Institutin e Shëndetit Publik. Besoj që jemi afër realizimit të disa bashkëpunimeve më konkrete. Problemi i narkomanisë është një problem shumëdimensional, kështu që, patjetër kërkohet dhe duhet që institucionet dhe organizatat të jenë në një bashkëpunim të ngushtë”.

XS
SM
MD
LG