Ndërlidhjet

UNMIK-U NUK PO INJORON ÇËSHTJEN E EGZISTIMIT TË STRUKTURAVE PARALELE NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarët e UNMIK-ut thonë se nuk i kanë injoruar strukturat paralele serbe, por i konsiderojnë ato një sfidë me të cilën duhet të përballen. Një zëdhënës i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovës, Sunil Narula tha se për t’u përballur me këtë sfidë, në procesin e shpërbërjes së strukturave paralele duhet të përfshihen edhe Beogradi edhe institucionet e Kosovës. Ai po ashtu ka mohuar pohimet se UNMIK-u nuk ka një strategji lidhur me eliminimin e strukturave paralele:
"Ne duam që strukturat paralele të shpërbëhen dhe zoti Holkeri e ka ngritur këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në fillim të këtij muaji, ndërsa edhe raporti i mëhershëm i Sekretarit të Përgjithshëm përmbante një kërkesë të tillë," tha zoti Narula.
Ai tha se procesi vërtet ka qenë i ngadalshëm, mirëpo UNMIK-u ka punuar për shpërbërjen e këtyre strukturave dhe si shembull përmend gjyqet e reja të Kosovës që janë hapur në veri dhe administratën e UNMIK-ut në pjesën veriore të Mitrovicës, edhe pse më parë atje ka funksionuar komuna paralele. Mirëpo, tha Narula, ekzistojnë fusha në të cilat ekzistojnë strukturat paralele, siç është rasti me arsimin dhe shëndetësinë, ku UNMIK-ut i duhet ndihma e institucioneve vendore:
"Nëse duam t’i eliminojmë strukturat paralele në arsim dhe shëndetësi, atëherë autoritete vendore duhet t’ua ofrojnë njerëzve ato shërbime, prandaj themi se ky proces kërkon kohë dhe përfshin jo vetëm UNMIK-un, por edhe Beogradin dhe institucionet e Kosovës," tha zëdhënësi Narula, duke ftuar institucionet vendore që të bashkëpunojnë konkretisht në këtë fushë.
Sidoqoftë, Narula tha se UNMIK-u ka strategji për shpërbërjen e këtyre strukturave:
"Është e vërtetë se disa nga këto struktura paralele ofrojnë shërbime të caktuara dhe gradualisht ne duhet t’i shpërbëjmë ato dhe siç ka deklaruar Holkeri, bashkësia ndërkombëtare nuk do t’i lejojë këto struktura të ekzistojnë për kohë të gjatë,"tha Narula.
Mirëpo, ndërkohë që Kosova ndodhet në procesin e përmbushjes së standardeve, institucionet vendore kanë ringritur çështjen e domosdoshmërisë sipas tyre të eliminimit të strukturave paralele, që ndër të tjera pengojnë edhe procesin e përmbushjes së standardeve. Diskutimet më të zëshme janë bërë javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, ku shumë herë UNMIK-u është fajësuar për tolerimin e strukturave paralele serbe. Zoti Narula tha se çështja e strukturave paralele do të diskutohet edhe në grupin e lartë punues ndërmjet UNMIK-ut dhe Beogradit gjatë muajit mars:
"Zoti Holkeri ka thënë se në muajt e shkuar Beogradi ka bërë përpjekje për të zgjeruar dhe forcuar strukturat paralele, prandaj kjo është një sfidë dhe ne duhet t’i përgjigjemi kësaj sfide," tha zoti Narula.
Sidoqoftë, megjithëse pranon se UNMIK-u ka qenë i ngadalshëm në çështjen e shpërbërjes dhe eliminimit të strukturave paralele serbe, zoti Narula thotë se UNMIK-u ka strategji për këtë dhe se nuk po e injoron këtë çështje.




XS
SM
MD
LG