Ndërlidhjet

MINISTRAT E JASHTËM TË BE-SË DISKUTOJNË PËR KOSOVËN DHE SERBINË


Augustin Palokaj, Bruksel

Havier Solana ka paraqitur një raport Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian lidhur me mënyrën se si të koordinohet më mirë puna e Bashkimit Evropian në Kosovë. Solana citohet t'u ketë thënë Ministrave të Jashtëm se organizatat e shumta të vendeve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësive e vendeve anëtare në Prishtinë duhet më shpesh të punojnë së bashku dhe të koordinojnë punën e tyre më shumë. Havier Solana është i mendimit se BE-ja është duke mbajtur mbi vete një punë të madhe në Kosovë por ajo sipas tij ende nuk është aq e dukshme. Solana po ashtu ka kërkuar angazhim më të madh të Bashkimit Evropian dhe të vendeve anëtare në ndihmë të institucioneve të përkohshme të Kosovës dhe të UNMIK-ut që të plotësojnë standardet e caktuara. Tërë politika e Bashkimit Evropian duhet tani të përqëndrohet më shumë drejt ndihmës për përmbushjen e standardeve, është mendimi i Havier Solanës.
Këshilli i Bashkimit Evropian ka përshëndetur dhe mirëpritur këtë raport të Havier Solanës dhe u ka bërë thirrje institucioneve përkatëse të Bashkimit Evropian që të shqyrtojnë propozimet e tij dhe në bazë të tyre të marrin vendimet e duhura. Këshilli ka nënvizuar se përmbushja e standardeve në Kosovë dhe përpjekjet për promovimin e perspektivës evropiane për Kosovën, janë elemente forcuese të një procesi të njëjtë. Havier Solana ka propozuar edhe një partneritet evropian për Kosovën, duke nënvizuar se perspektiva e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian sikur dhe pjesët e tjera të rajonit të Ballkanit, është esenciale për stabilitetin afatgjatë të rajonit. Havier Solana nesër do të vizitojë Kosovën ku do të përcjellë të njëjtat porosi për plotësimin e standardeve në Kosovë.
Pos për Kosovën në takimin e sotëm të Ministrave të Jashtëm është diskutuar edhe situata në Serbi dhe ministrat edhe përmes konkluzave zyrtare kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën politike atje pas zgjedhjeve.
Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se çfarëdo qeverie të krijohet në Serbi, do të duhet ta kuptojë se është obligim të bashkëpunojë tërësisht me Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Burimet e BE-së thonë se kanë pritur që në Serbi të ketë një qeveri të shumicës dhe jo një qeveri që do të varet nga mbështetja e socialistëve të Sllobodan Millosheviçit.


XS
SM
MD
LG