Ndërlidhjet

SOLANA: 100 MILION EURO NDIHMË PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bashkimi Evropian do t’i ofrojë mbështetje politike dhe ekonomike Kosovës në rrugën e saj drejt plotësimit të standardeve, ka thënë sot në Prishtinë përfaqësuesi i lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Havier Solana. Këto komente, Solana i ka bërë pas takimit me presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova. Unë kam insistuar te presidenti Rugova që institucionet e Kosovës të angazhohen shumë seriozisht në përmbushjen e standardeve, tha me këtë rast Solana, për të shtuar se BE-ja do të jetë tërë kohën mbështetëse e procesit implemetues:
"Në emër të Bashkimit Evropian unë i kam treguar atij gjithashtu se ne do të vazhdojmë me mbështetjen tonë, jo vetëm politike, por edhe mbështetje ekonomike, për çka do t’iu ndajmë dhe 100 milion euro për procesin e përmbushjes së standardeve”, theksoi Solana. Kurse gjatë këtyre viteve të fundit, BE-ja në Kosovë ka shpenzuar rreth 900 milion euro si ndihmë për Kosovën, tha ai. Duke e pasur parasysh se sivjet në Kosovë do të mbahen edhe zgjedhjet e lira, unë i sugjerova zotit Rugova, tha në vazhdim Solana, që lidershipi kosovar të përqëndrojë tërë energjinë në plotësimin e standardeve, në mënyrë që zgjedhjet të mos ndikojnë në këtë proces. Me plotësimin e standardeve, pohoi Solana, BE-ja nuk nënkupton një status të caktuar për Kosovën, por nënkupton fillimin e definimit të këtij statusi, dhe cilido që të jetë ai, duke i përmbushur standardet, Kosova sipas tij do të ishte pjesë e një Evrope të integruar.
Ndërkohë, presidenti Rugova, tha se e kishte njoftuar Solanën për të arriturat në Kosovë, si dhe rëndësinë e vazhdimit të procesit të privatizimit. Sa u përket standardeve, Rugova tha se një pjesë e tyre tashmë është plotësuar, kurse të tjerat, tha ai, do të plotësohen në vijim.
“Ne do të vazhdojmë me plotësimin, përmbushjen e standardeve. Një pjesë e kemi përmbushur, ndërsa ato duhet të vlerësohen. Dhe, gjithsesi ne do të punojmë së bashku me UNMIK-un si partnerë në këtë plan dhe në zhvillimin e Kosovës”, tha presidenti Rugova, i cili edhe këtë herë përsëriti qëndrimin e tij, se një Kosovë e pavarur dhe e integruar në të gjitha strukturat euro-atlantike, do ta qetësonte tërë rajonin. Ndërsa në lidhje me dialogun Prishtinë – Beograd dhe implikimeve që mund të ketë përfshirja e socialistëve në qeverinë e Serbisë, Rugova tha se ky fakt nuk do të ketë ndonjë efekt, kurse Havier Solana, pohoi se dialogu si një prej standardeve, për Prishtinën është i domosdoshëm që të mbahet.
Më pas zoti Solana, është takuar dhe me kryeparlamentarin kosovar Nexhat Dacin, me liderët e partive politike Hashim Thaçin e PDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së. Ndërsa pas takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Solana tha se u ka sqaruar atyre rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin e standardeve, duke u ofruar dhe 12 milion euro për kthimin e të zhvendosurve, por në fund, theksoi ai, serbët vetë duhet të vendosin për këtë çështje. Ndërsa Oliver Ivanoviç, tha se pjesëmarrja e serbëve në procesin e standardeve duhet të ndërlidhet me rolin e posaçëm të serbëve në grupet implementuese, duke sqaruar para gazetarëve se pavarësisht insistimeve të Solanës, liderët serbë ende nuk kanë vendosur të jenë pjesë e këtij procesi.






XS
SM
MD
LG