Ndërlidhjet

logo-print

GJENERALI BECK: SHBA-të MBETEN TË PËRKUSHTUARA PËR KOSOVËN


Jerry BECK, gjeneral-komandant i sektorit amerikan ( Lindje) të KFOR-it

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë një interviste që keni dhënë më herët, keni deklaruar se ushtarët amerikanë nuk ballafaqohen me asnjë rrezik në Kosovë, përvec motit të keq. Në të vërtetë, ju patët deklaruar se ushtarët amerikanë janë mirëpritur në Kosovë. A e mbani atë qëndrim edhe tani kur po largoheni nga Kosova?

JERRY BECK
Po ajo që kam thënë është se rreziku më i madh, me të cilin jemi ballafaquar deri më tani, ka të bëjë me vozitjen gjatë dimrit. Megjithatë, ushtarët e mi ndjehen të sigurt, sepse ne respektohemi nga shqiptarët, por edhe nga serbët dhe minoritetet tjera që jetojnë në Kosovë. Dhe nuk ka fare rëndësi fakti se unë do të largohem dhe në vendin tim do të vijë dikush tjetër, respekti do të mbetet. Me të vërtetë nuk shoh ndonjë rrezik të madh për ushtarët tanë. Megjithatë, çdoherë ekziston rreziku, çdoherë ka rrezik për sigurinë, diçka mund të ndodhë dhe ne duhet të reagojmë. Kështu që ne çdoherë do të jemi të gatshëm të reagojmë, nëse diçka ndodh brenda sektorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila ka qenë sfida më e madhe e KFOR-it amerikan gjatë këtij viti në Kosovë?

JERRY BECK
Sfida më e madhe me të cilën ne jemi përballur është liria e lëvizjes. Jam plotësisht i bindur se në të gjithë sektorin e Lindjes ka liri të lëvizjes. Kjo dëshmohet me faktin se ne kemi ndërprerë përcjelljen e automjeteve ushtarake që lëvizin nga Shtërpca deri në vendkalimin numër tre ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bëjmë patrullime të pafiksura në atë zonë. Ju madje mund të shihni shqiptarët dhe serbët së bashku në tregun e Gjilanit dhe Kamenicës dhe në tregjet e tjera brenda sektorit, pra ka liri të lëvizjes. Një fakt tjetër që duhet përmendur është edhe fakti se askush nuk vjen “rreth e rrotull” Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes. Kemi kaluar tre - katër muaj duke e bindur popullatën se nuk ka “njerëz në të zeza” që vijnë rreth e rrotull në pjesën perëndimore. Edhe pjesa lindore e sektorit nuk ka probleme. Mendoj se kemi bërë përparim të madh në lirinë e lëvizjes. Pra, po e përsëris, ka liri të lëvizjes në Brigadën Shumëkombëshe të Lindjes, por kjo nuk do të thotë se ka në tërë Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shpjegoni faktin se liderët kosovarë janë duke kërkuar që prania e UNMIK-ut të reduktohet, por që të vazhdojë prania e NATO-s, veçanërisht e forcave amerikane?

JERRY BECK
Nuk jam i sigurt se kush e ka thënë një deklaratë të tillë dhe prej nga vinë këto deklarata, por unë mund të them se në sektorin tonë së bashku me UNMIK-un, OSBE-në, Shërbimin Policor të Kosovës dhe me cilëndo organizatë joqeveritare ndërkombëtare, ne punojmë si një ekip dhe kjo është arsyeja pse jemi të suksesshëm në sektorin tonë. Punojmë bashkarisht dhe unë nuk e di se prej nga vinë këto deklarata.

RADIO EVROPA E LIRË
Misioni i Bashkimit Evropian së shpejti do të arrijë në Bosnjë, ndërsa në Kosovë mbetet NATO-ja. Cili është dallimi në mes të Bosnjës dhe Kosovës?

JERRY BECK
Ka shumë ndryshime në mes të Bosnjës dhe Kosovës dhe nuk mendoj se mund t’i krahasoni këto të dyja. Lufta në Bosnje ka zgjatur më shumë, ajo është ndarë në Republikën Serbe dhe në Federatë. Atje është një qeveri trepalëshe, që ka tre presidentë. Të gjitha këto gjëra e dallojnë Bosnjën. Madje edhe patrullimet tona dhe gjërat tjera që bëjmë në Bosnje, janë të ndryshme nga ato që bëjmë në Kosovë. Kështu që mendoj se është ide e keqe të krahasohet Bosnja dhe Kosova. Më lejoni të them se Kosova është duke treguar përparim të madh dhe ky përparim që po tregohet dëshmon edhe për faktin se ne do të jemi të gatshëm të qëndrojmë këtu aq sa është e nevojshme, duke përkrahur Misionin e Kombeve të Bashkuara dhe duke krijuar mundësitë që rruga e përparimit të vazhdojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj aktualisht janë në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar. A mund të ndikojë kjo luftë në reduktimin e pranisë amerikane në Kosovë dhe në zvogëlimin e interesimit të Amerikës për Kosovën?

JERRY BECK
Ne gjithmonë kemi trupa që e përkrahin misionin e caktuar, pavarësisht se çfarë misioni është. Kështu që s’ka rëndësi se çfarë po ndodh me organizatat terroriste, ose çfarë është duke u bërë me luftën e SHBA-ve kundër terrorizmit. Çfarëdo që ndjejmë se na duhet, çfarëdo që të jetë ai mision, trupat do të jenë këtu, sepse ne jemi të përkushtuar për Kosovën dhe zhvillimet e tjera nuk do të kenë ndonjë efekt.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa shërbime në Beograd kanë deklaruar në disa raste se në Kosovë janë infiltruar elemente të Al- Qaeda-s. A mendoni se ekziston një rrezik i tillë?

JERRY BECK
Mendoj se çdoherë ka rrezik, por tani për tani ne nuk kemi ndonjë dëshmi të ekzistimit të ndonjë lloj organizate të tillë brenda Kosovës. Nuk mendoj se organizata të tilla e kanë përkrahjen e popullit të Kosovës dhe nëse shohim ndonjë kërcënim të tillë ne do të reagojmë dhe të ndërmarrim aksione të nevojshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Në përgjithësi si e vlerësoni situatën aktuale të sigurisë në Kosovë?

JERRY BECK
Mendoj se jam në formë të mirë për të pasur plot optimizëm për Kosovën. Po arrihet përparim, madje edhe në këta muajt sa kam qenë këtu, është arritur përparim në lirinë e lëvizjes dhe Shërbimi Policor i Kosovës po arrin të bëhet një forcë e vlefshme dhe me punën e përbashkët të policisë së UNMIK-ut, ajo po bëhet një organizatë e mirë. Kështu që është arritur mjaft progres, ndonëse duhet të arrihet edhe më shumë. Megjithatë, gjërat po lëvizin dhe jam shumë optimist në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të ishte mesazhi juaj para se të largoheni nga Kosova?

JERRY BECK
Mesazhi im siç e kam thënë shpesh dhe do ta them sërish edhe në ndërrimin e komandës, janë dy gjëra, sundimi i ligjit dhe toleranca ndëretnike. Nëse mund të mësojmë që të jetojmë së bashku dhe të respektojmë ligjin, mendoj se do të shihni se progresi do të vazhdojë të rritet dhe do ta bëjë Kosovën atë që duhet të jetë.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG