Ndërlidhjet

SOLANA: NUK DUHET PRITUR 2005 PËR TË ZGJIDHUR PROBLEMIN E MITROVICËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bashkimi Evropian do t’i ofrojë mbështetje politike dhe ekonomike Kosovës në rrugën e saj drejt plotësimit të standardeve, ka thënë sot në Prishtinë përfaqësuesi i lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Javier Solana. Këto komente, Solana i ka bërë pas takimeve të ndara me shefin e administratës së UNMIK-ut, Harri Holkerin, presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe përfaqësuesit tjerë politikë vendorë.
Me këtë rast, Solana kërkoi nga udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës të angazhohen shumë seriozisht në përmbushjen e standardeve, për të shtuar se BE-ja do të jetë tërë kohën mbështetëse e procesit implemetues.
“Në emër të Bashkimit Evropian kam ardhur në Prishtinë të dëshmoj mbështetjen për Kosovën dhe të bëjë të ditur se BE-ja ka ndarë reth 100 milion euro për procesin e përmbushjes së standardeve”, theksoi Solana në fund të vizitës së tij, në një konferencë për gazetarë.
Tek të gjithë me të cilët bisedova në Prishtinë, pashë një qëndrim konstruktiv ndaj përmbushjes së standardeve, tha Solana, duke potencuar se kjo ishte dhe porosia kryesore e BE-së drejtuar liderëve kosovarë:
“Porosia kryesore të cilën BE-ja dëshiron t’ua përcjell të gjithë liderëve është që ata të angazhohen në procesin e zbatimit të programit për operacionalizimin e standardeve”, tha Solana, për të shtuar se në këto standarde, parashihet dhe zhvillimi i bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Solana tha se tashmë është caktuar një takim për muajin mars, ku do të bisedohet për personat e zhdukur dhe energjetikën.
Koha që na ka mbetur deri në vitin 2005 është shumë e rëndësishme dhe se ajo nuk guxon të humbet, tha Solana, duke shtuar se sa më shpejt që të fillohet me zbatimin e planit për standardet aq më mirë do të jetë për të gjithë.
Me plotësimin e standardeve, pohoi ai, BE-ja nuk nënkupton një status të caktuar për Kosovën, por nënkupton fillimin e definimit të këtij statusi, dhe cilido që të jetë ai, duke i përmbushur standardet, Kosova sipas tij do të ishte pjesë e një Evrope të integruar.
Duke iu qasur njërit prej problemeve më të mëdha në Kosovën e pasluftës, atij të Mitrovicës, Solana tha Mitrovica duhet të integrohet që të funksionojë dhe të jetë nën administrimin e UNMIK-ut.
"Mendoj se nuk duhet të presim deri në vitin 2005, që të zgjidhim problemin e Mitrovicës, sepse kjo është data kur duhet të vlerësohet puna e standardeve”, tha Solana.
Ndërkohë, liderët kosovarë, kryesisht e kanë çmuar rolin e zotit Solana dhe BE-së në proceset aktuale në Kosovë. Vetë Solana tha se liderët kosovarë, si edhe shefi i UNMIK-ut, i kanë dhënë mbështetje angazhimeve të BE-së për standardet si edhe për fillimin e bisedimeve teknike me Beogradin. Ndërkohë që vetëm përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, edhe këtë herë nuk janë pajtuar që të kyçen në kuadër të procesit të standardeve, duke i përsëritur kërkesat e tyre se kusht për përfshirjen e serbëve në këtë proces, është që ata të kenë një rol të posaçëm në kuadër të grupeve punuese, gjë që deri më tani nuk është pranuar nga administrata e UNMIK-ut.


XS
SM
MD
LG