Ndërlidhjet

KTHIMI I TË ZHVENDOSURVE–STANDARDI KRYESOR PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kthimi i të zhvendosurve nëpër shtëpitë e tyre, do të jetë një prej standardeve kryesore, në të cilin UNMIK-u dhe institucionet kosovare duhet të përqëndrohen gjatë vitit 2004, ka thënë sot në Prishtinë, Peggy Hicks, shefe e zyrës për kthim në administratën ndërkombëtare. Ajo tha se kthimi nuk nënkupton vetëm sjelljen e njerëzve nga Serbia e Mali i Zi në Kosovë, por edhe krijimin e kushteve për jetë normale. Qeveria e Kosovës, tha Hicks, ka ndarë vullnetarisht 7 milion euro për kthimin e të zhvendosurve, të cilat do të shfrytëzohen për ndërtimin e rrugëve, shkollave e ambulancave në viset, në të cilat do të ketë kthim. Më pas, Hicks përmendi katër vështirësitë kryesore të cilat administrata ndërkombëtare mendon t’i tejkalojë, për realizimin e kthimit të personave të zhvendosur:
“Një prej tyre është përfshirja e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë, pasi sa më tepër që këto institucione të përfshihen, aq më shumë do të jemi efikas në kthim”, tha Hicks. Ndërsa ndër vështirësitë e tjera, ajo përmendi kthimin e pronës së uzurpuar tek pronarët, të cilët duan të kthehen, por nuk mund ta bëjnë këtë për shkak se prona e tyre, sipas saj është e uzurpuar. Pastaj, tha ajo, parashihet të fillojë një fushatë për informimin e të zhvendosurve rreth kushteve për kthim si dhe sfida tjetër, sipas Peggy Hicks, është që të përmirësohet situata e sigurisë dhe e lëvizjes së lirë.
Ajo i ka hedhur poshtë manipulimet e ndryshme me numra, si masë për matjen e plotësimit të standardeve. Kthimi nuk mund të matet me numrin e të kthyerve, tha ajo, dhe se sipas saj, për t’u plotësuar ky standard, duhen krijuar kushte që të gjithë ata të cilët janë banorë të Kosovës dhe duan të kthehen, t’u mundësohet kjo e drejtë.
Sidoqoftë, Hicks është shprehur optimiste se standardi i cili bën fjalë për kthimin do të realizohet me sukses.
Po në lidhje me standardet, forca e KFOR-it në Kosovë, sot ka shpalosur shtatë pika për plotësimin e standardit numër tetë, i cili bën fjalë për Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Zëdhënësi i KFOR-it, Jim Moran tha se TMK-ja, si numri tetë i “Standardeve për Kosovën”, është nën mandatin e “Rezolutës 1244”, dhe përcaktohet si një “organizatë civile për emergjencë që kryen detyra të reagimit të shpejtë në rast të fatkeqësive për sigurinë publike dhe në rast të emergjencës dhe ndihmës humanitare”.







“TMK-ja nuk do të ketë asnjë rol në përforëcimin ose në mbajtjen e rendit dhe ligjit”, tha Moran. Duke e përcaktuar TMK-në, si një organizatë civile, KFOR-i kërkon që ajo të jetë shumë-etnike dhe të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. TMK-ja, tha më tutje Moran, nuk guxon të ketë brenda saj kurrëfarë organizimi politik, kurse funksionimi dhe operimi i saj, shtoi ai, do të jetë nën autoritetin e shefit të UNMIK-ut. Çdo sjellje jo korrekte, pohoi Moran do të dënohet. Kjo ishte hera e parë që autoritetet ndërkombëtare, nën mandatin e të cilave është ngritur TMK-së, dalin me një plan konkret për këtë organizatë, edhe atë vetëm disa ditë pasi që TMK kishte publikuar strategjinë e saj të zhvillimit.



XS
SM
MD
LG